Një projekt i financuar nga NASA po zhvillon teknologji të reja që do të lejojnë një anije kozmike të fluturojë përmes kozmosit të shtyrë tërësisht me vela diellore që “përkulin” dritën.
Agjencia njoftoi të martën se do të sigurojë 2 milionë dollarë gjatë dy viteve për projektin Diffractive Solar Sailing, i cili po heton mënyrat për të përdorur energjinë nga dielli për të drejtuar dhe fuqizuar automjetet në hapësirë.
Projekti është pjesë e programit NASA Innovative Advanced Concepts, i cili financon idetë që mund të përdoren në misionet e ardhshme përmes fazave të shumta të kërkimit dhe testimit.
“Ndërsa ne dalim më larg në kozmos se kurrë më parë, do të kemi nevojë për teknologji inovative, të avancuara për të drejtuar misionet tona,” tha administratori i NASA-s Bill Nelson në një deklaratë.
NASA ka qenë prej kohësh e interesuar për teknologjinë e velave diellore sepse ofron një alternativë me kosto efektive ndaj sistemeve tradicionale të shtytjes, pa kërkuar që anijet kozmike të mbajnë karburant të rëndë dhe të shtrenjtë në bord. Përkundrazi, automjetet e pajisura me vela diellore mund të ushqehen me një burim që është edhe i bollshëm dhe praktikisht i pashtershëm: rrezet e diellit.
Anijet me vela diellore përdorin vrullin nga rrezet e diellit për të udhëtuar nëpër hapësirë - ngjashëm me mënyrën se si varkat me vela përdorin erën për t’i bartur ato përtej detit.
Projektet e mëparshme të velave diellore përdorën kryesisht sipërfaqe të ngjashme me pasqyrën për të reflektuar grimcat e dritës, të quajtura fotone. Ndërsa fotonet godasin velat, ata transferojnë energjinë e tyre dhe e shtyjnë anijen kozmike përpara. Ndonëse efektive, kjo teknikë ka të metat e saj, sepse lëvizshmëria e automjetit është e kufizuar nga drejtimi i dritës së diellit.
Për të shmangur këtë, projekti Diffractive Solar Sailing po zhvillon velat që në thelb “përkulin” dritën për të rritur fuqinë dhe manovrimin. Rrjetat e vogla të ngulitura në materialin e hollë të velave do të kapnin fotone dhe do të përhapnin dritën ndërsa kalonte nëpër hapje. Kjo do të lejonte një automjet të përfitonte nga momenti i fotoneve, pavarësisht nga drejtimi natyror i dritës së diellit.
Teknologjia mund të përdoret për të lundruar në pozicione që do të ishin të ndërlikuara duke përdorur sisteme konvencionale shtytëse, duke përfshirë misionet për të orbituar rreth poleve të diellit, tha Amber Dubill, një inxhiniere mekanike në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar të Universitetit Johns Hopkins në Laurel, Maryland, e cila drejton projektin.
“Lundimi diellor difraktiv është një pamje moderne e vizionit të vjetër të dekadave të lundrimit me drita,” tha Dubill në një deklaratë. “Me ekspertizën e kombinuar të ekipit tonë në optikë, hapësirën ajrore, lundrimin tradicional diellor dhe metamaterialet, ne shpresojmë t’i lejojmë shkencëtarët të shohin diellin si kurrë më parë.”
NASA tha se raundi i ri i financimit do të përdoret për të zhvilluar më tej teknologjinë e velave diellore në përgatitje për një mision të mundshëm demonstrues në të ardhmen.
Burimi: NBC News