“Kam pasur qejf të bëj diçka për veten, ta sfidoj veten, por, gjithashtu, të krijoj diçka që mendoj se është e rëndësishme për Kosovën dhe diasporën. Ajo më ka shtyrë tani më shumë përpara” – kështu e nis rrëfimin e saj Ardijana Rexhaj, e cila është themeluese e platformës “Kerkoj.com”. Nga zyra e saj jo larg qendrës së Prishtinës Ardijana udhëheq këtë platformë për shitje, blerje dhe dhënie me qira të pronave dhe gjërave të tjera.
Prej tre vitesh ajo mundëson komunikim të përditshëm me klientë gjithandej Kosovës e më gjerë. Për të realizuar këtë ide, 32 vjeçarja, me prejardhje nga Istogu, u zhvendos nga Norvegjia. “Në fillim kur kam ardhur dhe kam kërkuar të bashkëpunoj me kompani të ndryshme, shumë kanë menduar se do të rri një vit dhe do të kthehem”- ka thënë ajo. Ardijana ishte katër vjeçe kur familja e saj emigroi në Norvegji.
Kujton se në vitet e para kishte shumë barriera, sidomos të gjuhës, por me kalimin e kohës u integrua. Në këtë shtet ajo kaloi 25 vjet të jetës së saj dhe në Oslo diplomoi në fushën e administrimit të biznesit.
Burimi: Albinfo.ch