Reformat dhe ligjet që bashkojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian kanë prekur edhe karburantet. I tilllë është projekti për zëvendësimin e një pjese të nënprodukteve të naftës, me lëndë djegëse jo fosile për motorët me djegie të brendshme. Projektligji është në fazë konsultimi, dhe qëllimi kryesor është përmbushja e angazhimeve për emisionet e gazeve që vijnë nga konsumi i hidrokarbureve në këtë sektor.
“Për Shqipërinë, transporti është kontribuesi më i madh i dioksidit të karbonit dhe në përmasat e vendit, ndikon në ndryshimet klimatike. Qëllimi i ligjit është të krijohen politika nxitëse për kultivimin të bimëve energjetike ne Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve”- thuhet në relacion.
Nga ana tjetër, projektligji ka si qëllim edhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve për dobinë që sjell në mjedis dhe në shëndetin e tyre, konsumi biokarburanteve në sektorin e transportit.
Biokarburantet janë lëndë djegëse që nxirren nga biomasa apo mbetjet organike bimore apo shtazore dhe sot shihen si mënyrë më e mirë për të ulur emetimet që shkaktojnë efektin serë.
Burimi:https://euronews.al/nis-zevendesimi-i-naftes-ne-transport-do-futen-biokarburantet/