Kur bregdeti, laguna, grykëderdhjet e lumenjve apo kënetat takohen njëra me tjetrën, rezultati që përftohet është padyshim mbresëlënës. I tillë është dhe parku natyror Patok-Fushë Kuqe-Ishëm, ku të gjitha habitatet e sipërpërmendura ndërthurren së bashku duke dhuruar pamje tejet spektakolare.
Mbi 358 specie bimësh të larta e deri në 179 lloje shpendësh popullojnë të gjithë zonën, duke e kthyer në një parajsë të vërtetë për të apasionuarit pas biodiversitetit. Flora dhe fauna e Lagunës së Patokut tërheqin përvit me mijëra vizitorë, të cilët përmes shëtitjeve me varkë në Lagunën e qetë, kanë mundësinë të kundrojnë nga afër një pasuri të vërtetë natyrore.
Falë pozicionimit vetëm 50 km larg Tiranës, Laguna është lehtësisht e arritshme me makinë e në të mund të kalosh një fundjavë ideale mes qetësisë e kartolinave natyrore. Peizazhin e zbukurojnë akoma më tepër kasollet e vogla prej druri të ndërtuara mbi lagunë, të cilat së largu të krijojnë ndjesinë sikur po vrojton bungalou-t e famshme të ishujve të Paqësorit. Në këto kasolle prej druri ju do mund të shijoni gatimin tradicional e të shijshëm të restoranteve të Patokut.
Buka e misrit e përgatitur aty për aty, apo peshqit e freskët që kapen në lagunë, janë vetëm disa nga gatimet që do ju bëjnë të lëpini gishtat. Sikur të mos mjaftonte menuja e zgjedhur, ngjyrat e qiellit që reflektohen në lagunë e bëjnë këtë të fundit një pasqyrë të rrallë natyrore që do ju dhurojë emocione të shumta. Për ata që duan të qëndrojnë më gjatë, nuk mungojnë as disa hotele të pozicionuara anës lagunës.
Përgjatë lundrimit me varkë do të shihni dhe rrjetat e hedhura të peshkatarëve, për të kapur levrekun, merlucin, qefullin, ngjalën, gjuhëzën e të tjerë peshq që falë dhe prurjeve të Adriatikut dhe lumit Ishëm nuk mungojnë. Ndër disa prej monumenteve natyrorë të krijuar që vlen të përmenden janë Ishulli i Cabokut dhe Kordoni Litoral që ndodhen në perëndim të Lagunës.
Në fund të udhëtimit tuaj, nuk mund të largoheni pa konfirmuar dhe dyshimin mbi prejardhjen e emrit të Lagunës. Emri Patok ka ardhur natyrshëm, si rrjedhojë e patave të shumta që popullonin zonën. Ndaj nëse keni vendosur ndonjë bast me miqtë apo familjarët për origjinën e emrit, erdhi momenti që ai që vuri bast mbi patat të shpallet fitues!
Si të shkosh:
Tiranë mbikalimi Patok – Fushë Kuqe ish gabinat e plazhit të Patokut; Lezhë mbikalimi Patok – Fushë Kuqe ish gabinat e plazhit Patokut; Adriatik – Grykderdhja e Lumit Ishëm, Godull.
Burimi: Into Albania