Në kuadër të finalizimit të Marrëveshjes për Njohjen dhe Konvertimin e Lejeve të Drejtimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, u mbajt takimi mes zv. Drejtorit të DPSHTRR-së dhe Drejtorit të Agjencisë për Dokumentet e Identifikimit, Regjistrimet dhe Shkëmbimin e të Dhënave të Bosnjë-Hercegovinës, z. Almir Badnjević.
Takimi iu kushtua një nisme të rëndësishme për zbatimin teknik të shkëmbimit elektronik të të dhënave të lejes së drejtimit ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës së Shqipërisë, e cila synon të lehtësojë dhe përmirësojë shkëmbimin e informacionit midis dy vendeve, duke përmirësuar kështu sigurinë rrugore, frenimin e falsifikimit dhe përdorimit të paligjshëm të lejeve të drejtimit, si dhe përshpejtimin e proceseve administrative.
Palët shprehën kënaqësinë për vijimin e punës bashkërisht për detajet e zbatimit dhe aspektet teknike të shkëmbimit të të dhënave, iniciativë e cila do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve në fushën e sigurisë rrugore.
Burimi: DPSHTRR