Gjigandi rus energjetik Gazprom njoftoi të premten se furnizimet e tij të gazit në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të ndërpriten për tre ditë, për arsye “mirëmbajtjeje”.
“Më 31 gusht 2022, e vetmja njësi e kompresimit të gazit Trent 60 do të mbyllet për tre ditë deri më 2 shtator, për mirëmbajtje që përfshin teknikët e Siemens”, tha Gazprom në një deklaratë.
Si rezultat, “transporti i gazit përmes gazsjellësit Nord Stream do të pezullohet për tre ditë”, vazhdoi ai, duke thënë se mirëmbajtja e pajisjeve ishte “e nevojshme çdo 1000 orë funksionimi”.
Në fund të kësaj periudhe dhe në mungesë të keqfunksionimeve teknike do të rifillojnë furnizimet me gaz me një prurje prej 33 milionë metër kub gaz në ditë, sqarohet më tej në deklaratë.
Njoftimi vjen pasi Moska u akuzua kohët e fundit për “shantazh energjetik” nga Perëndimi dhe masa rrezikon të ringjallë frikën e mungesës së energjisë në të gjithë Evropën.
Rusia ka ndërprerë vazhdimisht furnizimin me gaz në Evropë, e cila është shumë e varur nga energjia ruse, pasi vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Moskës për ofensivën e saj në Ukrainë.
Rreth 40 për qind e importeve të gazit të BE-së ishin nga Rusia deri vitin e kaluar.
Në javët e fundit, Rusia i ka justifikuar këto shkurtime me dështimin e kthimit të një turbine Siemens të riparuar në Kanada, për të cilën Moska pretendon se është thelbësore për funksionimin e duhur të gazsjellësit Nord Stream 1.
Vendet evropiane akuzojnë Moskën se po vonon kthimin e kësaj turbine në mënyrë që të mund të pretendojë një ulje të dërgesave të saj dhe në këtë mënyrë të ushtrojë presion ndaj tyre.
Një mbyllje 10-ditore e mirëmbajtjes në korrik kishte ngritur më parë shqetësime midis vendeve evropiane, të cilat janë përpjekur prej muajsh të diversifikojnë furnizimet e tyre.
Burimi: Euronews