Imagjinoni një qytet me 51 mijë banorë, me pallatet, monumentet apo ambjentet e përbashkëta ku banorët zhvillojnë jetesën e tyre normale. Tani imagjinoni një park me 51 mijë individë shpendësh, ku gjithashtu nuk mungojnë monumentet natyrore apo zonat ku këta individë shoqërohen me njëri tjetrin. Mbresëlënëse apo jo? Ky ‘qytet’ nuk është tjetër veçse Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta, ku 228 lloje të ndryshme zogjsh popullojnë gjithë zonën, duke krijuar një biodiversitet të rrallë në Shqipëri.
I përbërë nga katër laguna (Karavasta, Godulla, Godulla e Pishës, Spiaxho), parku ka një vendndodhje strategjike. Lumi Shkumbin në veri e Semani në jug, si dhe pozicionimi mes kodrave të Divjakës në lindje dhe detit Adriatik në perëndim, e ka pasuruar parkun me një larmi speciesh. Disa prej tyre janë rosa e egër, lauresha, shqiponja e detit, lejlekët, ku rol të veçantë zë simboli i parkut, pelikani kaçurrel (dalmat), që bën pjesë dhe në listën e shpendëve në ruajtje.
Speciet e parkut
Nëse në fillim të shekullit XX ishin mbi 250 çifte riprodhuese pelikanësh, sot këto çifte numërohen në rreth 53. Kjo është dhe arsyeja se përse është rreptësisht e ndaluar gjuetia në këtë park. Pelikani kaçurrel përplas fillimisht krahët në ujë, e pastaj ngrihet në fluturim. Të tjerët pranë tij nisin e bëjnë të njëjtin veprim. Brenda pak minutash laguna mbushet me pelikanët e bardhë në gri apo tufat e shumta të shpendëve shtegtarë që me krahët hapur pasqyrohen në ujë tek sa vazhdojnë fluturimin. Laguna e Karavastasë është e mbushur me momente të tilla emocionuese, ku shpendët luajnë me ujin e ajrin duke dhuruar një spektakël të rrallë.
Çfarë mund të shihet tjetër
Por shpendët janë vetëm një prej arsyeve se përse duhet vizituar parku. Pylli me pisha i Divjakës që ndan lagunën nga deti, ofron peizazhe natyrore të mrekullueshme. Ishulli i Kularit, Dunat e Oazit të Divjakës krijuar nga veprimtaria e erës, Ishulli i Pelikanit, Kordoni litoral i Lagunës apo Pisha e Egër 400 vjeçare, janë disa prej monumenteve natyrore që ngjajnë si të vendosura aty enkas për të zbukuruar më tej parkun. Ujërat e lagunës janë të banuara dhe nga peshqit e shumtë, ku vlen të përmendet qefulli dhe ngjala.
Ndërkohë për të gjithë të apasionuarit pas detit, vetëm 1,2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut ndodhet plazhi i Divjakës. Një rrip prej gati 15 km rëre të bardhë pranë pyllit me pisha mirëpret pushuesit që duan të shplodhen pranë detit Adriatik. Një rekomandim i vogël: për shkak të pranisë së madhe të mushkonjave, merrni paraprakisht ndonjë solucion mbrojtës nëse nuk doni të shqetësoheni prej tyre.
Burimi: Into Albania