Shqipëria është një vend me një ekonomi në rritje. Gjatë periudhës së tranzicionit është përballur me një sërë transformimesh referuar tendencave të prodhimit. Por, vitet e fundit trendi i prodhimit dhe i ekonomisë duket se ka filluar të marrë një linjë më të qëndrueshme. Por, pavarësisht kësaj, mbetemi akoma një vend që në mënyrë progresive rrisim numërin e bizneseve të vogla dhe të mesme ndër vite. Aktualisht 99% e bizneseve shqiptare janë SME. Në dukje një trend i mirë. Një zhvillim normal i një vendi të vogël. Në statistikat ndërkombëtare, vendet me zhvillim ekonomik të ngjashëm me Shqipërinë numërojnë po të njëjtin standard bisnesesh të vogla dhe të mesme. Por, ajo çfarë krijon shqetësim për të gjjthë studiuesit e ekonomisë dhe vetë qeverinë është status quo e këtyre bizneseve, që në harkun kohor të këtyre viteve janë përballur gjithmonë me probleme të diferencuara ndër vite, por jo të zgjidhura përfundimisht.
Qeveritë kanë hartuar programe të ndryshme, gjithmonë me synimin për të përmirësuar performancën e tyre. Herë produktive herë jo. Por, fakt mbetet që edhe pse SME nuk janë kontribuesi kryesor i të ardhurave në buxhet, janë kontribuesit kryesor në punësim dhe të ardhura individuale të çdo të punësuari apo pronari të tyre. Ndaj dhe studimi i vazhdueshëm i problematikave të tyre kthehet në kryefjalë, jo vetëm për qeverinë, por dhe për çdo agjensi apo institut që ka për qëllim ndihmesën ndaj zhvillimit ekonomik të vendit.
Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania” ka pikërisht këtë qëllim: të ndihmojë me studimet e tij përpjekjet e vazhdueshme të kujtdo hartuesi reformash për të përmirësuar performancën e këtyre bizneseve. Pikërisht nëkuadër të kësaj, u zhvillua një studim mbi performancën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në vendin tonë, me qëllim identifikimin e nevojave të tyre duke pasur parasysh dhe efektet negative që shkaktoi pandemia e COVID-19.
Janë intervistuar 420 sipermarrje.
Vitet e fundit është diskutuar gjerësisht për problematikat kryesisht në reformën fiskale apo emigracionin që kanë prekur këto biznese.
Studimi u hartua në formatin e një pyetesori me pyetje specifike rreth problematikave të vërejtura kohët e fundit te këto biznese. Problematika të qasura, jo vetëm në takime derë më derë, por dhe problematika të ngritura shprehimisht nga studiues, ekonomistë apo dhe politikbërës. Metodologjia e përdorur në këtë studim është tërësisht e matshme dhe e krahasueshme. Ajo ishte e bazuar mbi pyetësorët, intervistat dhe analizën e të dhënave. E gjjtha kjo për të dhënë një pasqyrë të qartë referuar gjendjes reale për këdo që do ketë interes t’i lexojë rezultatet e këtij studimi. Ky studim është i vlefshëm dhe lehtësisht i lexueshëm, qoftë për politikbërës apo studiues, ashtu dhe për vetë bizneset, për t’u ardhur në ndihmë këtyre të fundit të gjejnë veten në problematikat dhe zgjidhjet e ofruara më vonë.
Intervistimi ka qënë individual, dhe mbi të gjitha vullnetar në pyetësorin elektronik të dërguar në adresat email të kompanive si dhe publikimit në rrjetet sociale.
Rezultatet e këtij studimi kanë një vlerë të rëndësishme bazuar kjo në numrin e madh të bizneseve që u shfaqën të gatshëm t’u përgjigjeshin pyetjeve të pyetësorit. Por, qëllimi ishte, jo vetëm një numër i madh biznesesh, por dhe një gjithëpërfshirje e tyre. Janë marrë në studim pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë.
Nga ana tjetër një nga gjërat që kemi dashur të jemi gjithëpërfshirës në rezultat ka qene dhe niveli i zhvillimit të vetë biznese. Sot Shqipëria numëron një numër të konsiderueshëm bisnesesh familjare. Megjjthatë, kemi një numër jo të pakët dhe biznese me numër të konsiderueshëm të punësuarish që efekti i tyre i punësimit në zonën ku operojnë është i konsiderueshëm.
Biznese të intervistuara sipas numrit të të punësuarve/ moshës/ gjinisë/ lloji i bisnesit Rezultatet e pyetësorit nxjerrin që numëri më i madh i bizneseve në vend operojnë me pak punonjës në limitet e numrave 1-4 punonjës, të cilët shpesh janë familjarë. Përqindja prej 24.2% është vlerë e konsiderueshme e bizneseve të marra në studim, ku kanë deklaruar që numri i të punësuarve është vetëm 2.
Ndërkohë, vetëm 1.6% e bizneseve kanë deklaruar që kanë 97 punonjës. Ndoshta kjo lidhet dhe me faktin që nga të intervistuarit 24.1% ishin biznese shërbimesh. Në këtë pikë mund ta justifikojmë disi mungesën e numrit të madh të të punësuarve, por gjithsesi përfundimi mbetet që këto janë biznese të brishta dhe të pa rritura ndër vite. Mbi të gjitha ajo që duhet të na shqetësojë është vazhdimësia po në këto nivele e tyre.
Këto shifra tregojnë brishtësinë e biznesit shqiptar SME. Numri i vogël i të punësuarve flet për shifra të vogla të ardhurash në ekonominë individuale të të punësuarve të rastësishëm. Nga ana tjetër kjo tregon që rritja e këtyre bizneseve ecën me hapa të vegjël, duke cënuar vazhdimësinë e tyre.
Por, çfarë mund të vërejmë nga pyetesori duke u përpjekur të mund gjejmë një lidhje për të shpjeguar këtë situatë. Mosha e administratorëve të biznesve rezulton të jetë shumë e re. Numri më i madh i bizneseve shfaqin një moshë administratori prej 30 vjeç edhe më pak. Këto rezultate, nisur dhe nga ecuria e ekonomisë shqiptare, janë të mirëpritura, sepse tregojnë që të rinjtë kanë ide për të ndërtuar dhe investuar në vend, kanë dëshirë dhe mundësi financiare individuale ose jo për të ndërtuar idenë e tyre të biznesit. Kjo shifër është një mundësi optimiste për të pritur një rritje të këtyre bizneseve të vogla në të ardhmen, duke u mbështetur në idenë që të rinjtë kanë forcë për të përballuar sfida të shumta. I vetmi problem që mbetet në këtë pikë është financimi i tyre. Të rinjtë e kësaj moshe, nisur nga experienca e tyre profesionale, nuk paraqesin burime të mëdha fondesh kursimi për të financuar në periudhë afatgjatë biznesin, ndryshe nga çfarë mund të shfaqte një person me moshë dhe përvojë profesionale më të madhe.
Nga ana tjetër, fakti që këta të rinj në pjesën më të madhe të tyre kanë arsim universitar i bën ata më të aftë për t’u përballur me alternativat financuese, apo mundësitë e tjera për t’u rritur si bisnes që shfaq tregu.
Edukimi i tyre universitar i bën më të aftë për të kuptuar alternativat e shumta që të ofrohen në treg qoftë për lehtësira financiare nga institucione qeveritare apo ato ndërkombetare, qoftë për të përfituar nga programe të ndryshme si p.sh. ato të lehtësirave fiskale etj.
Kjo moshë të jep më shumë siguri që ky biznes do të ketë vazhdimësi, nisur dhe nga fakti që komunikimi më këtë status administratorësh është më e lehtë për këdo. Nga ana tjetër, vlen të theksojmë që shpërndarja gjinore e administratorëvë nuk mbetet në kriteret e asaj mashkullore. Përqindja e konsiderueshme e administratoreve femra të dalë në pyetesor prej 32.3% është një e dhënë që të ndihmon të kuptosh lehtësinë e orientimit tashmë të mendësisë shqiptare, se kushdo që ka një ide të suksesshme mund ta elaborojë për ta pasur një biznes të suksesshëm. Pavarësia gjinore për të krijuar biznes është një shenjë e emancipimit social dhe ekonomik, që perveçse rrit shpresën për një ecuri të mirë ekonomike, krijon pavarësinë ekonomike shumë të nevojshme për ambientin shqiptar.
Format e financimit
Bizneset shqiptare ndër vite kanë pasur si referencë financiare që në hapat e para të tyre kursimet dhe remitancat. Ndoshta brishtësia e sistemit financiar vendas apo dhe situatat e ndryshme negative të ndodhura ndër vite, si kriza piramidale e ‘97 apo kriza bankare e 2002, i kanë bërë shqiptarët mosbesues ndaj sistemit bankar. Sot kreditë bankare konsiderohen nga ta si alternativa e fundit e gjenerimit të fondeve, qoftë për të filluar biznesin ose qoftë për ta rritur atë. Pyetësori rezultoi se linja e ndërvitshme e sigurimit të fondeve për fillimin e tij mbeten kursimet. Mbi 50% e të intervistuarve janë shprehur se e kanë filluar biznesit me kursimet e tyre. Vendin e dytë e zënë remitancat. Ky është një rezultat i pritshëm në fakt nisur dhe nga vetë zhvillimi i vendit, ku remitancat mbeten një burim i rëndësishëm për gjenerimin e të ardhurave të shqiptareve. Por shqetësimi ynë si institut mbetet niveli i ulët i financimit nga sistemi financiar me vetëm 3.2%. Nje postulat financiar thotë: zhvillimi i një vendi varet nga zhvillimi i sistemit të tij financiar. Nëse fondet nuk qarkullojnë nëpërmjet sistemit financiar ekonomia kolapsohet në një rreth të mbyllur e mungesë fondesh. Ky është një problem që duhet zgjidhur për të rritur besimin e bizneseve të sistemit bankar nga një anë, por nga ana tjetër duhet të kontribuojnë dhe vetë bankat në lehtësimin e proçedurave dhe uljen e interesave të kredive, sepse shqetësimi kryesor i të intervistuarve ndaj sistemit bankar ishin pikërisht interesat e larta të kredive të ofruara.
Megjithatë po këta të intervistuar deklarojnë që me kalimin e viteve u janë drejtuar bankave në rastet kur kanë dashur të rrisin biznesin e tyre. Vlera prej 6.5 % me hua nga familjarë ose të afërm, është një vlerë për t’u konsideruar, por ky mbetet një sistem informal i pakontrollueshëm, që shpesh krijon abuzime dhe konflikte dhe si një gjë negative ka nevojë imediate të fillojë të eleminohet, duke i orientuar këto biznese drejt sistemit financiar.
Ajo që sjell shpresë nga pyetësori është përqindja e konsiderueshme prej 12.9% e financimit të siguruar nga grantet dhe programet e vetpunësimit, të fituara nga institucione të ndryshme apo programe qeveritare. Vite më parë, ky zë do të ishte i pakonsiderueshëm, ndoshta nisur nga fakti që këto fonde ishin të panjohura për investitorët, problem që vinte së pari nga format e informimit dhe nga aftësia e të kuptuarit të funksionimit të këtyre fondeve. Sot, investitorët janë më të informuar duke qenë se kanalet e shpërndrajes së informacionit janë më të shumta dhe mbi të gjitha, bazuar sa më lart, niveli i edukimit të investitorëve është i tillë që arrijnë të kuptojnë më së miri format e funksionimit të këtyre fondeve.
Qëllimi i pyetësorit ka qenë të nxjerë rezultatet e performancës për periudhën që po kalojmë dhe për të ndihmuar me sygjerime këto biznese. Pyetjet më poshtë i referohen pikërisht aktivitetit të tyre për këtë periudhë.
Në pyetjen lidhur me aktivitetin e prodhimit krahasuar me një vit më parë, 56.5 % e të intervistuarve janë shprehur se nuk kanë pasur rritje të prodhimit. Në fakt, ky është një lajm shumë negativ për ekonominë në përgjjthësi.
56.5% është një vlerë e konsiderueshme e mbështetur dhe nga fakti se vitet e fundit, jo vetëm Shqipëria, por e gjithë Europa është përfshirë nga një recension, pikërisht i orientuar te bizneset e vogla dhe të mesme. Mbi gjysma e këtyre bizneseve flasin për një rënie të tyre që përkthehet në rënie të të ardhurave individuale për shumë njerëz të punësuar dhe më pak qarkullim fondesh midis bizneseve.
Sigurisht, efektet në ekonomi ndihen ngadalë, por kjo krijon një bazë të fortë për rënie të vazhdueshme.
Për volumin e prodhimit/kontratave për vitin 2020, 59 % e bizneseve janë shprehur se nuk kanë rritje, ndërsa 22.6% përgjigjen me po.
Kjo pyetje u hartua me qëllim të ishte konkrete për të pasur një pasqyrim real të gjendjes. Ajo që në fund të ditës ka rëndësi për bisneset është rritja e vëllimit të prodhimi. Dhe rezultati ishte që 59% e tyre, një numër shumë i madh referuar tendencave të ekonomisë, ka deklaruar që ky prodhim nuk ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë. Ky realisht është një rezultat shumë negativ. Ne mund t’ia faturojmë rezultatin situatës pandemike që po kalojmë, por kjo nuk jep asnjë justifikim mbi gjendjen që po kalojnë këto biznese. Ajo që duhet të kuptojmë nga këto rezultate është fakti që mungesa e rritjes për një periudhë kaq të gjatë kohe do të thotë likuiditet i mangët për investimet e ardhme. Do të thotë paaftësi për të qëndruar në të njëjtin pozicion si më parë e jo më tepër të pretendojmë që këto biznese të rriten.
Krahasimi me 2019 ishte që 56.5% e biznese nuk kanë rritje krahasuar me vitin e kaluar. Kjo do të thotë që për ta 2020 është një vit zero, pa asnjë të ardhur, një vit i mangët në likuiditetin e tyre që do të cënojë sigurisht të ardhmen dhe investimet në 2021.
Për bizneset më pak të punësuar, kjo është më pak problematike, por referuar bizneseve me shumë të punësuar kjo kthehet në një bumerang likuiditeti duke qenë se pavarësisht mungesës së rritjes, këto biznese kanë vazhduar të qëndrojnë të hapur duke paguar punonjësit e tyre apo duke paguar taksat dhe detyrimet.
Pikërisht në këtë pikë ka qenë shumë e nevojshme ndërhyrja e ndihmave financiare të ofruara nga qeveria. Por, ajo që na le të pa shpresë ky pyetësor është përgjigjia e të anketuarve lidhur me përfitimet qeveritare. 41% e tyre shprehen se kanë përfituar pagat e luftës për periudhën e pandemisë. Kjo është një shifër e mirë, por pyetja lind përse pjesa tjetër që është më e madhe nuk ka përfituar? Ky është një nga problemet më të mëdha që ka lindur. Përse shumica nuk ka marrë pagë lufte? Në këtë moment është e nevojshme të ndërhyet si me programe ndihmuese qeveritare ose jo për të ndihmuar këto biznese për të përfituar pikërisht pagën e luftës.
Çfarë rezultoi nga pyetësori në lidhje me pandeminë?
Shumica e bizneseve shfaqen të paaftë për të shlyer detyrimet e tyre, kjo për shkak të uljes së porosive. 22% e tyre shprehen se kanë ulje të porosive për këtë periudhë. Në zinxhirin e qarkullimit të fondeve kjo përkthehet në ulje të likuiditetit për të shlyer detyrimet si kredi, pagesa furnitoresh apo paga.
Problem akoma dhe më i rëndesishëm për t’u theksuar fakti që 51% e bisneseve nuk kanë përfituar nga masat financiare të ofruara nga qeveria shqiptare në përgjigje të pandemisë. Ky problem kerkon nevojën e një studimi të veçantë për të kuptuar nësë këto biznese nuk kanë ditur të përfitojnë apo institucionet nuk u kanë kushtuar vëmendjen e duhur. Kjo sepse mungesa e ndihmës financiare për këtë situatë përkthehet në mungesë mundësie për të vazhduar biznesin, e cila dëmton, jo vetëm biznesin, por dhe programet ekonomike për rritje ekonomike që paraqet qeveria.
Mungesa e përfitimit të këtyre masave ka sjellë që shumë prej bizneseve të jenë përballur me situata të vështira financiare, të cilat nisur dhe nga të dhënat e fundit, po rezultojnë në mbyllje të këtyre biznesve apo rritje të papunësisë.
Ju lutemi zgjidhni problemet më të rëndësishme financiare për kompaninë tuaj gjatë shpërthimit të pandemisë COVID-19.
Shqetësimi kundrejt pandemisë tashmë nuk është një shqetësim individual i administratorit të biznesit, por i efekteve që po sjell mungesa e financimit të kësaj periudhe te këto biznese. Bizneset shprehen se paga e luftës nuk është një formë e mjaftueshme për të siguruar vazhdimësi. Kohëzgjajtja e pandemisë po bën që ato, (shumica sipas anketimit rëzultojnë me një kohë të shkurtër ekzistence), të rrezikojnë falimentin.
Çfarë sygjerojmë bazuar në këtë anketim:
Edhe pse në dukje në shifrat e të ardhurave kombëtare SME-të nuk duken si një formë e rëndësishme, në jetën ekonomike të vendit ato zënë një pozicion strategjik, cënimi i të cilit do të sjellë pasoja të parekuperueshme nësë nuk ndërhyet. Problemet më të mëdha të shfaqura në pyetësor lidhen me financimin e biznesve dhe pasojat e pandemisë në këtë linjë.
Ajo që do të sygjeronim për periudhë afatshkurtër është kthimi i vëmendjes së qeverisë dhe të gjithë institucioneve ndërkombetare drejt këtyre bizneseve, për të ndihmuar kalimin e kësaj situate për të siguruar vazhdimësi në këtë periudhë afatshkurtër dhe më vonë të mendohet për rritje. Sygjerimi kundrejt qeverisë mbetet suporti kundrejt këtyre bizneseve për të kuptuar në radhë të parë dhe për të ndihmuar në përfitimin e të gjitha ndihmave financiare të ofruara nga programet qeveritare, jo thjesht në periudhën aktuale pandemike. Numri i ulët i përfituesve të këtyre ndihmave si në pandemi dhe jo, tregon për interes të vogël të këtyre bizneseve apo paaftësi për të përfituar. Suporti fizik ndihmues kundrejt këtyre bizneseve do të ishte shumë i nevojshëm për të siguruar suport financiar nëpërmjet këtyre programeve.
Vënia në dispozicion të zyrave, ku bizneset të drejtohen dhe të ndihmohen për aplikimet, kundrejt formave të financimit, do të ishte gjetja ideale për një vend si Shqipëria, që sigurisht përpos të tjerave shfaq dhe një nivel të ulët edukimi e njohurish në të bërit biznes.
Nga një anë, institucionet e ndryshme ndërkombetare që kanë në programet e tyre ofrimin e suporteve financiare, t’i bëjnë ato më të prekshme nga çfarëdolloj biznesi. Vendosja e limiteve për përfituesit duhet të jetë sa më e vogël, në mënyrë që të gjithë të kenë hapësira për të siguruar jetëgjatësinë e biznesit të tyre. Nga ana tjetër, fushatat e informimit të këtyre institucioneve duhet të jenë të thjeshta për t’u kuptuar nga të gjitha nivelet e edukimit dhe gjithashtu të mos limitohen në formate media sociale informimi. Gjithëpërfshirja i bën këto programe të kapshme nga të gjithë.
Një tjetër sygjerim i yni lidhet me ofrimin e garancive të ndryshme në zinxhirin e prodhimit kundrejt furnitorëve dhe prodhuesve që të dy palët të mos ngecin në rrjetën e mungesës së fondeve. Ofrimi i këtyre garancive, si nga shteti si nga institucionet, e bën akoma dhe më të thjesht procesin e vazhdimit normal të biznesit.
Si institut me objektiv trajnimet sygjerojmë që ofrimi i trajnimeve apo forma të ngjashme ndaj bizneseve për të siguruar info nga më të ndryshmet lidhur me kalimin e periudhës problematike pandemike, por dhe për t’i orientuar drejt ideve të reja të zbatimit të bizneseve do të ishte një zgjidhje shumë efektive.
Lidhur me këtë, në pyetjen ofruar se çfarë nevojash kishin bizneset në rritjen e gamës së edukimit të tyre në biznes, pothuajse të gjithë shfaqen nevoja të njëjta që lidhen me manxhimin e riskut, njohje të legjislacionit, njohuri mbi përfitimet e financimeve, marrëdheniet me klientët etj.
Kjo tregon që bizneset shqiptare janë akoma në fazat e tyre të para lidhur me trajtimin e problematikave. Idetë nuk mungojnë, ndoshta dhe fondet jo sa për ta nisur biznesin, por manaxhimi i tij i mëtejshëm përbën problem.
Ndaj sygjerimi ynë vjen pikërisht në kthimin e fokusit edhe në këtë pjesë të zhvillimit të biznesit. Ofrimi i trajnimeve të ndryshme nga institute të ndryshme kombëtare ose ndërkombetare mbetet një element i rëndësishëm.