Në pjesën me të madhe të veprave të tua është në qendër silueta femërore , dimensioni i gruas. Në projektin e fundit devijuat pak dhe erdhët me motive patriotike nga Shqipëria dhe Kosova. Nga çfarë u frymëzuat për të bashkuar në telajo një komb?
Unë kam vite që po punoj në telajo me veshjet tona tradicionale, marrë shkas dhe nga ngjarjet politike të viteve të fundit, më lindi si ide që të sjell për artdashësit një kolazh me veshjet tona, ku u pritën mjaft mirë si në Tiranë, Germani po ashtu edhe në Shkodër. Më së fundi jam duke punuar për një projekt ku në një telajo kam bashkuar Kosovën dhe Shqiperinë, si urë lidhëse është ura e mesit dhe ajo e Prizrenit dhe ku qëndrojnë stoik monumentet kulturore të të dy vendeve. Dimë që prej 1912 e këtej, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ka qenë ëndërra e çdo shqiptari, kudo që ata ndodheshin. Të gjithë
Shqiptarët në Ballkan, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, ne jemi një popull, flasim një gjuhë, kemi një histori dhe jemi një komb.
Midis shqiptarëve, kudo qofshin ata, nuk ka asnjë dallim. Shqiptarët janë një. Prandaj kam dashur t’i bashkoj në një telajo e ku ka më bukur sesa të japim mesazhe përmes artit.
Si i gërshetoni monumentet në pikturë, duke gjetur elementë të përbashkët mes dy vendeve?
Në këtë projekt më është dashur të studioj monumentet e dy vendeve si nga ana historike, por edhe nga ana e arkitekturës sepse duheshin vendosur me kujdes që të ruaja balancin pasi po punohej me përmasa të mëdha. Mendoj që ja kam dalë për të përcjellë mesashin edhe në këtë projekt.
Në punime shpaloset gjithë kreativiteti yt, eksperienca, e kaluara siç është edhe emigrimi për një kohë të gjatë në Kanada dhe më pas kthimi në atdhe.
Në pikturë a ka edhe pak nga nostalgjia e Anilës kur ishte larg vendlindjes?
Mendoj që është normale që në çdo punim të ketë pak Anilë, pasi ka të bëjë me ndjesinë, emocionet dhe natyrisht që shpaloset edhe në punimet e mia. Gjatë kohës së emigrimit më shumë se kurrë e ndjen mallin për vemdin tënd, për vendlindjen, për gjuhën tënde dhe çdo ngjyrë pasqyrohet në punët e mia. Me kthimin në Shqipëri në memorien time kane mbetur kujtimet e bukura dhe ditët e veshtira gjithashtu, por shpirti i një artisti mbart me vete kujtimet më të bukura dhe si artistë lëmë gjurmë në artin që bëjmë.
Ngjyra e kuqe që dominon të jep komoditet gjatë punës apo e ke të preferuar?
Unë punoj me të gjitha ngjyrat, por më duhet ta pranoj që e kam ngjyrën time të preferuar, jo sepse është ngjyra e dashurisë ( siç thonë dhe psikologët që ngjyra e kuqe është kryesisht një simbol i pozitivitetit dhe jetës), por sepse ka të bëjë me njësinë që ajo përcjell, forcën, bukurinë.
Mes dizajnit , arkitekturës dhe pikturës ku e gjen veten më shumë ?
Janë dy dashuri që nuk do i ndaja nga njëra-tjetra, pasi piktura ka lindur me mua dhe jam e sigurt që do më shoqërojë për shumë kohë, për të mos thënë në Infinit. Ndërsa profesioni si arkitekte e brendshme ka një diapazon të gjerë, ku imagjinata nuk ka kufi dhe sfida ngelet për t’i realizuar. Kjo është e bukura e të qenit arkitekt i brendshëm. Dhe si piktore e kam më të lehtë për të realizuar çdo projekt, ndaj nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra.
Përveç talentit cfarë duhet të ketë tjetër një artist që të jetë i suksesshëm?
Përveç talentit duhet të punojmë shumë për të arritur aty ku duam dhe mbi të gjitha të kemi një zemër të madhe, të jemi njerëz mbi të gjitha. Më kujtohet sprehja e Nënë Terezës “ Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha në këtë jetë. Mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Cili është projekti i radhës që mund ta zbulosh ekskluzivisht për Probizz.al?
Jam duke punuar për projektin e rradhës, mendoj që do çel një ekspozitë në Kosovë.