Kryetari i DHTI-Tiranë, z.Nikolin Jaka zhvilloi takime të rëndësishme institucionale në rajonin e Marche-s në datat 21-22 prill 2023, saktësisht në qytetin e Ankonës, me Dhomën e Tregtisë së këtij rajoni, si edhe me Këshillin e Qarkut Rajonal të Marche-s në Ankona.
Delegacioni i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, i kryesuar nga Kryetari Nikolin Jaka, dhe i përbërë nga znj. Aris Tasho, drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z.Ylli Ujka, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptare në Itali, z.Albert Mecaj, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në rajonin e Marche-s, u prit në “Palazzo delle Marche” nga delegacioni i Presidentit Latini.
Nisur nga fakti që Shqipëria tashmë shihet si një treg me interes për rajonin e Marche-s, zv.presidenti Salvatore Giordano shprehu mbështetjen për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në lidhje me projektet e trajnimit ndërkufitar që përfshijnë studentë dhe sipërmarrës të rinj nga të dyja vendet.
Kryetari Jaka dhe Zëvendëspresidenti Giordano nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon nxitjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet kompanive në të dy territoret, duke marrë përsipër vendosjen dhe ruajtjen e kontakteve dhe dhënien e informacionit të ndërsjellë për çështje të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, veçanërisht në lidhje me politikat nxitese te investimeve dhe per zhvillimin e NVM-ve.
Gjatë takimit, u la edhe një ftesë e hapur për të mirëpritur drejtuesit e Dhomës së Tregtisë të Marche-s dhe sipërmarrësit e këtij rajoni, për të parë mundësit e vërteta të investimit në Shqipëri.
Vizita e Kryetarit Jaka në Ankona u përmbyll me takimin në Këshillin e Qarkut Rajonal të Marche, ku z.Jaka u mirëprit edhe nga këshilltarja rajonale, znj.Lindita Elezi, arritjet e të cilës i përshkroi si një shembull pozitiv në përparimin e shqiptarëve në vendin fqinj duke u kthyer në modele suksesi.
“Ndërveprimi mes popujve i bazuar në nderim, respekt dhe integrim, besoj se është një vlerë në ndërtimin e të mirës shoqërore sepse ushqen një cikël të virtytshëm. Kjo është ajo që ndodhi edhe mes dy vendeve tona, të cilat sot e gjejnë veten duke bërë një hap të mëtejshëm në cilësi, së bashku, drejt të ardhmes”, u shpreh znj. Elezi.