Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, sot në ditën e tretë të vizitës në Kalabri, u takua me komunitetin arbëresh dhe autoritetet vendore në Macchia Albanese, San Cosmo Albanese, Vaccarizzo Albanese dhe San Giorgio Albanese.
Presidenti Begaj deklaroi se gjatë gjithë takimeve ka gjetur mbështetje për projekte të reja Shqipëri-Kalabri, përfshirë edhe fushën e turizmit.
“Jam i bindur se përmes promovimit dhe mbështetjes së bashkëpunimit midis Rajonit të Kalabrisë dhe Shqipërisë, do të krijohen mundësi të shumta shkëmbimesh në fusha të ndryshme e me interes të ndërsjellë, me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në industrinë turistike e kulturore,” – u shpreh më tej Presidenti.
Ndërsa vlerësoi rritjen e turizmit gjatë këtij viti në Shqipëri, Presidenti Begaj apeloi për hartimin e një një programi të përbashkët strategjik: “Këto potenciale turistike shqiptare, si dhe potencialet e konsoliduara turistike të Rajonit të Kalabrisë, që laget nga dy dete dhe me peizazhe të mrekullueshme, na bëjnë optimistë për mundësitë e panumërta të bashkëpunimit të koordinuar dhe të integruar në fushën e turizmit.”
Në takimin që zhvilloi me sipërmarrës të shoqatës “ Lions Club Arbëri” në San Demetrio Corone, Kreu i Shtetit propozoi hapjen e zyrave operacionale të afta për të përfituar nga avantazhet e rëndësishme përsa i përket investimeve.
“Ju ftoj ta shikoni vendin tonë si një horizont miqësor për aktivitetet tuaja ndërkombëtare të ardhshme, sepse ka shumë interesa të ndërsjella që pasqyrojnë mundësitë sipërmarrëse dhe të punës, që nga këtu, sot, nga Arbëria e Kalabrisë, mund të vendosim të fillojmë së bashku, duke parë me entuziazëm të ndërsjellë ndërtimin e aktiviteteve dhe nismave që mund të plotësojnë kërkesat e ndryshme që kërkojnë përgjigje konkrete‘”, deklaroi Presidenti Begaj.
Burimi: Presidenca