Komisioni Europian ka lëshuar miratimin e certifikatës digjitale të vaksinimit ku një ndër 7 vendet për të cilat u lëshua ky miratim, duke përfshirë Andorën, Ishujt Faroe, Izraelin, Monakon, Marokun dhe Panamanë, është edhe Shqipëria.
Shtatë vendet do të lidhen me sistemin e BE-së dhe certifikatat COVID që ata lëshojnë do të pranohen në BE me të njëjtat kushte si certifikatat dixhitale të BE-së për COVID. Qytetarët shqiptarë do ta kenë më lehtë udhëtimin drejt dhe nga BE, me vetëm pasqyrimin e certifikatës së vaksinimit me një nga vaksinat e miratuara nga EMA.
“Gjatë kësaj vere ne kemi parë që qytetarët janë në gjendje të udhëtojnë të sigurt falë certifikatës dixhitale të COVID të BE-së. Kjo është një situatë e favorshme. Qytetarët mund të gëzojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë dhe bizneset si dhe sektori i transportit mund të fillojnë të kompensojnë humbjet e muajve të kaluar. Që nga qershori, janë lëshuar më shumë se 420 milionë certifikata të BE -së. Ndaj unë i mirëpres vendet jashtë bllokut, të cilat po i bashkohen sistemit tonë të suksesshëm,” u shpreh Komisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders.
Komisioni deri më tani ka dhënë 4 autorizime për vaksinat e zhvilluara nga BioNTech dhe Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Janssen Pharmaceutica NV pas vlerësimit pozitiv të EMA për sigurinë dhe efikasitetin e tyre. Disa vaksina të tjera janë në faza të ndryshme të vlerësimit nga Agjencia Evropiane e Barnave./ProBizz.al/