Kreu i qeverisë Edi Rama ka njoftuar se pritet të nisë censi i popullsisë dhe banesave me anë të të cilit do të tregohet numri real i shqiptarëve që jetojnë në vend. Deklarata u bë në konferencën hapëse të “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023”.
Kreu i qeverisë u shpreh se dy janë faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e procesit të censit të popullsisë dhe banesave.
“Faktori i parë janë partnerët, kemi partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, suedezë të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë, për eksperiencën e tyre në të qenit të saktë në numërim dhe patjetër me mbështetjen e vetë BE-së me një fond të konsiderueshëm ku 55 % janë nga qeveria shqiptare pjesa tjetër nga këta partnerë. Dua të theksoj se për partnerët gjermanë kemi GIZ, që është një institucion që në vijimësi e ka treguar seriozitetin e vlerën e vet të shtuar”.
“Faktori tjetër është teknologjia e lartë, e cila na jep një ndihmë shumë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitet më të zhvilluara si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale. INSTAT ka një eksperiencë të padyshimtë institucionale dhe vijueshmëri profesionale që është garanci në këtë proces” tha Rama.