Ekonomia e Evropës është rritur pas muajsh në stanjacion. Gjatë tremujorit të dytë të 2023, midis prillit dhe qershorit, vendet e monedhës euro panë rritje prej 0.3%, sipas agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat.
Parashikimet e muajve të fundit flasin për një përmirësim të ekonomisë, duke sugjeruar se ekonomia evropiane do të rritet pak më shumë në pranverën e ardhshme. Numrat janë në përputhje me vlerësimin e qershorit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Pasiguria rreth vlerësimeve të BQE-së u zhduk në ditët e fundit pasi u publikuan statistikat e katër ekonomive të mëdha në eurozonë. Spanja u rrit me 0.4%; Franca, me 0,5%; Gjermania doli nga recesioni absolutisht në stanjacion (0%) dhe vetëm Italia shkoi prapa, -0.3%.
Inflacioni ende në nivele të larta
Ndërkohë, inflacioni në eurozonë vijoi rënien graduale, duke rënë në 5.3% në korrik nga 5.5% që ishte në qershor. Numra që janë ende larg objektivit prej 2 % të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
BQE nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë të rrisë normat e interesit. Christine Lagarde, presidente e institucionit deklaroi në gazetën franceze “Le Figaro” se në shtator mund të ketë një rritje tjetër të normës së interesit ose, ndoshta, një pauzë. Evropa ende po lufton me pasgoditjet e pushtimit rus të Ukrainës, duke përfshirë ndërprerjen e furnizimit me gaz nga Moska për pjesën më të madhe të të kontinentit që rriti ndjeshëm çmimet për karburantin dhe energjinë elektrike.
Më e keqja e rritjes së çmimeve ka mbaruar, por kostot janë ende më të larta se para fillimit të luftës. Çmimet e ushqimeve u rritën me 10.8 % në korrik nga një vit më parë, një përmirësim nga qershori dhe muajt e mëparshëm, por ende një barrë për familjet evropiane. Ndërkohë, energjia ka rënë me 6.1% . Duke hequr çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, inflacioni bazë mbeti i qëndrueshëm në 5.5% , një tregues kyç që nuk ka rënë aq sa duan bankierët qendrorë.
Përkthyer dhe përshtatur nga Euronews për Probizz.al