Rregullorja e re për kredinë konsumatore është pritur pozitivisht edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se këto ndryshime janë të mirëpritura.
“Bazuar në zhvillimet e tregut financiar në vend, në transparencën, mbrojtjen e interesave të publikut, praktikat më të mira edhe në vende të tjera të zhvilluara, si dhe në kujdesin e shtuar për stabilitetin financiar të vendit, AAB mbështet iniciativën e Bankës së Shqipërisë dhe shpreh vullnetin e saj të plotë për të bashkëpunuar për përmirësimin e hartimit të projekt vendimit. Diskutimi I konsultimit tashmë i filluar me industrinë bankare është pozitiv, plotësisht në mbështetje dhe i shëndetshëm për forcimin e praktikave më të mira në procesin e huadhënies.”- thuhet në deklaraten e AAB.
Me ndryshimet e reja bankat frenohen në vendosjen e interesave jashtë logjikës së tregut për kredinë konsumatore për individët.
Ndërsa në rastin e mospagesës së kësteve në afat, penalitetet nuk mund të rriten pafundësisht, por duke respektuar një tavan prej 30% të vlerës së huasë.
Kjo masë pritet ti japë zgjidhje edhe ankesave të konsumatorëve lidhur me politikat që ndjekin bankat.
Po ashtu Banka e Shqipërisë i ka bërë thirrje edhe konsumatorëve që të tregohen të kujdesshëm kur lexojnë kontratat e kredisë të informohen në detaje me kushtet që vendosen në kontratën e huamarrjes./ProBizz.al/