Ekonomia shqiptare është rritur me 5,53% në tremujorin e parë të vitit.
Sipas Institutit të Statistikave, rritja ekonomike u mbështet nga kontributi pozitiv që dhanë degët e sektorit të industrisë, me 2,56%, i ndërtimit me 1,09% dhe arsimit e shëndetësisë, me 0.97%.
Bujqësia ishte ajo degë që shfaqi performancë zhgënjyese, me pothuajse të njëjtin nivel prodhimi që kishte në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, sektorët e tregtisë, transportit dhe turizmit, në pamundësi pë rimëkëmbje pas efekteve të krizës pësuan rënie, me –0,14%.
Rritjet sipas sektorëve në mënyrë më të detajuar ishin: aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit, me 0,09%; aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit, me 23,81%; aktiviteti i Ndërtimit, me 16,87%; grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 0,93%; grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni, me 4,94%; aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit me 16,94%; aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme me 8,65%; ndërsa grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative pësuan një rënie prej 3,14%; grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 7,45%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje; grupi i aktiviteteve të tjera të shërbimit pati një rritje me 7,79%.
Ecurinë më pozitive këtë tremujor, sipas komponentëve kryesorë të kërkesës agregate, e shfaqën sërish investimet, të lidhura sidomos me procesin e rindërtimit dhe aktivitetin e ndërtimit në përgjithësi.
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,49%, konsumi final i qeverisë u rrit me 5,16%, komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 21,11%, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,6 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,55%.
Ky tremujor ishte i dyti radhazi që regjistroi rritje pozitive për ekonominë shqiptare, pas pesë tremujorësh në rënie, të shkaktuar kryesisht nga pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe të pandemisë që preku vendin në mars 2020. Kjo konfirmon projeksionet pozitive dhe përmirësimet e aktivitetit ekonomik për shkak të një efekti në rënie të pandemisë.
/ProBizz/