Nisim udhëtimin drejt vendit të agrumeve, vendit ku duket që toka ka ‘rrëmbyer’ kurorën e mbretërimit për prodhimin e mandarinave, portokalleve, limonave, qitrove dhe kryeson në eksportet e tregjeve rajonale dhe evropiane.
Prodhimtaria e agrumeve në Shqipëri ka fillesat që në mesjetë, kultivimi i të cilave është bërë gjatë bregdetit. Pas Çlirimit, gjatë regjimit komunist, në Shqipëri u ndërtuan plantacione masive me agrume. Zonat ku ato shtriheshin janë Ksamili, Lukova, Vlora (Jonufër), në Stiar e Vrinë të Sarandës etj. Në këto zona jeton edhe historia e rinisë të asaj kohe e cila kryente aksionet kombëtare për hapjen e brezareve.
Udhëtimi nis aty ku çdo vit, në muajin Tetor, festohet “Festa e Mandarinës”, aty ku e gjithë zona është e mbuluar nga vreshta, aty ku plantacionet e agrumeve gumëzhijnë dhe nuk kanë të sosur, e pra në brigjet e bukura e shumëngjyrëshe të Sarandës. Gjatë këtij udhëtimi ju do të keni mundësi të ndaloni e vizitoni fermat në të cilat kultivohen agrumet. Në këto oze magjike ju do mund të shijoni marmelatat dhe glikotë me portokalle dhe mandarina.
Rekomandohet si periudhe më e përshtatshme vjeshta, kjo për vetë mundësitë e pakrahasueshme që të ofrojnë fermat, për të marrë pjesë në aktivitetet e vjeljes sezonale të agrumeve. Në këtë mënyrë gjithë kush mund të marrë pjesë në festën më të madhe, atë të vjeljes së mandarinës. Aty do të takoni shumë fermerë të cilët janë të apasionuar pas agrumeve, pas punës, pas traditave, pas bukurisë natyrore që të ofron kjo perlë e ëmbël e bregdetit të Jon-it.
Për të kontaktuar drejtpërdrejtë me vetë fermën, ju lutem ndiqni kontaktet në AgroTurizëm.gov.al.