Alpet shqiptare që duket sikur prekin krenarisht qiellin, janë një mrekulli e rrallë natyrore, që mahnisin këdo që i shikon, sidomos me sy të lirë. Në qiellin e tyre shtrihen kurora të maleve me bjeshkë të ëmbla të mbuluara nga ahe, pisha, pyje të ndryshme, livadhe, kullota, kafshë të egra e shpendë.
Në këto male e livadhe janë të ngritura stane verore, pjesa më e madhe e të cilave shtegtojnë në dimër dhe rikthehen në verë. Këto stane janë të ngritura me mure guri të thatë dhe dërrasë, të cilat janë vendbanimet e barinjve. Në to barinjtë mbarështojnë bagëti si lopë, dhi dhe dele, të cilët me qumështin e tyre furnizojnë baxhot duke prodhuar nënprodukte si kosi, gjalpi, djathi i bardhë dhe kackavall etj. Kullotat e këtyre maleve janë te mbushura me bime medicinale e fruta, dhe, padiskutim që ofrojnë një cilësi produkti të pakrahasueshëm dhe tej konkurues.
Jeta në këto stane duket e mrekullueshme, larg zhurmës, mes ajrit të pastër kurativ, mes historisë e kulturës së këtyre anëve. Aty do të gjeni jo vetëm produkte tipike, por edhe plot legjenda, histori të treguara nga çobanët. Në këto zona do të gjeni gjurmë historike të rrënojave arkeologjike të periudhave të hershme, shpella, kala, ujëvara, liqene, lumenj, kaione, etj.
Nëse përzgjidhni të udhëtoni nëpër stanet e viseve shqiptare, do përjetoni aventurën, thjeshtësinë, shijen e vërtetë dhe “do te harroni luksin”. Do të kaloni natën mes maleve, nën tingujt e gjinkallave, nën tingujt e legjendave dhe mbi të gjitha do njiheni me historinë, traditat e fermerëve të zonës të cilët të bëjnë të udhëtosh në kohë.
Turistët që do të vizitojnë këto stane, do të gjejnë mikpritjen, do të mund të konsumojnë produkte 100% organike dhe të traditës shqiptare, do të flenë mbi lëkura, ecin mbi kuaj, dhe do të shijojnë netët e gjata nën tingujt e sharkive dhe rapsodive, muzikë për shpirtin. Ju mbetet juve për të zbuluar këtë experiencë që bën bashkë natyrën, ushqimin dhe traditën e këtyre viseve të egra por plot jetë e magji, të cilat vlejnë për t’u eksploruar.
Për të kontaktuar drejtpërdrejtë me vetë fermën, ndiqni kontaktet në AgroTurizëm.gov.al.