Shqipëria, padyshim është një nga prodhuesit e verës që në lashtësi, e njohur për vreshtat e shtruara mbi kodra të buta. Në një vend të bekuar si Shqipëria, prodhohen verëra të shkëlqyera dhe unike mesdhetare, me një trashëgimi ampelografike që tregon historinë enologjike të vendit tonë. Përplasjet mes gladiatorëve, gjeneralëve, ushtrive, luftëra pas luftërash, kanë treguar se vera ka qenë shoqëruesja më e mirë, aty mes vatrash për pushtet.
Prodhimi i verës është art dhe shkencë; një përzierje e krijimtarisë individuale dhe teknologjisë novative. Falë pozicionit gjeografik, numrit të ditëve me diell, tokës pjellore dhe shumëllojshmërive autoktone, Shqipëria ofron një cilësi të lartë të prodhimit të verave, duke e bërë atë një industri konkuruese në rajon e më gjerë; kjo si rezultat i rritjes së kapaciteteve të vreshtave dhe aftësive përpunuese të kantinave.
Varietetet kryesore të rrushit autokton shqiptar për verë të kuqe janë Shesh i Zi, Kallmet, Vlosh, Serinë, Debinë e Zezë, ndërsa mes verërave të bardha kujtojmë Shesh i Bardhë, Debinë e Bardhë, Pulës, Therepelë etj, vlerësuar për aromën e tyre frutore dhe të lules. Kallmeti, emër i vendosur pas llojit të ëmbël të rrushit, prodhon verë të kuqe dhe të bardhë, i cili ka fituar gjithashtu mjaft çmime, ku mes tyre është edhe vera 30-vjeçare e Kallmetit.
Industria e verës është mjaft e larmishme. Rajonet e rëndësishme janë Berati, Elbasani, Vlora, Fieri, dhe Lezha. Zonat me reputacionin më të mirë për verëra cilësore janë Berati, Përmeti dhe Lezha. Berati është rajoni më i rëndësishëm për prodhimin e verës në Shqipëri ku gjendet shumica e kantinave. Lezha është një zonë me disa kantina vere, por që lidhet ngushtë me varietetin e rrushit “Kallmet”, sipërfaqja kryesore për prodhimin e të cilit ndodhet në këtë rajon dhe vlerësohet tej mase nga konsumatorët shqiptarë.
Me synimin për të ofruar një paketë të plotë propozimesh dhe shërbimesh AgroTurizëm.gov.al ka krijuar këtë udhëtim. Turistët që e duan kulturën dhe artin, u jepet mundësia ta eksplorojnë atë, pasi një pjesë e madhe e vreshtave gjenden pranë kishave, kështjellave dhe muzeve, zonave të mbrojtura natyrore. Turistët kanë mundësinë të marrin pjesë në vjeljen e rrushit dhe degustimin e gotës së parë të verës së re, që është gjithmonë festive për këto ferma.
Turistët të cilët janë të apasionuar pas enologjisë, kanë mundësinë të zgjedhin oferta të larmishme nga kantinat e zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe gjithashtu të vizitojnë vreshtat, kantinat, duke shijuar verë cilësore, të shoqëruar me produkte ushqimore organike dhe tradicionale të zonave.
Për të kontaktuar drejtpërdrejtë me vetë fermën, ndiqni kontaktet në AgroTurizëm.gov.al.