Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare shënoi një rekord të ri në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), çdo përdorues i shërbimeve celulare konsumoi mesatarisht 7.77 GB internet në muaj.
Kjo shifër është 7.5% më e lartë krahasuar me mesataren e tremujorit të parë dhe 30.5% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Trafiku total i internetit i gjeneruar në rrjetet celulare gjatë tremujorit të dytë arriti një total prej rreth 49 milionë GB, 33.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas AKEP, në fund të tremujorit të dytë në Shqipëri numëroheshin 2.1 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, 2.1% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Edhe ky tremujor po konfirmon tendencën e shpejtë të orientimit të përdorimit të celularit drejt shërbimit të internetit.
Interneti po zëvendëson në një masë të madhe edhe shërbimet klasike të komunikimit direkt nëpërmjet rrjetit, si thirrjet zanore apo mesazhet e shkruara.
Aplikacionet e lloji OTT ( Over The Top )të komunikimit po sjellin një ulje të vazhdueshme të këtyre shërbimeve. Sipas AKEP, për tremujorin II, ra në 1.3 milionë minuta, 8.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përdorimi mesatar mujor i thirrjeve nga çdo përdorues zbriti në 167 minuta, 13.3% më pak krahasuar me tremujorin II 2021.
Edhe numri i SMS-të dërguara zbriti në 134 milionë, në rënie me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe përdorimi mesatar mujor ra në 17 SMS në muaj, 8.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nevoja për investime dhe për rritje të eficiencës do të marrë një rëndësi edhe më të madhe me kalimin e afërt në teknologjinë 5G. AKEP porositi një studim për kalimin në teknologjinë 5G tek kompania Jones Group International.
Procesi i tenderimit të frekuencave nuk ka nisur ende zyrtarisht, por, edhe për shkak të këtyre problemeve, operatorët celularë në vend janë shprehur pesimistë për mundësinë e implementimit të shpejtë të teknologjisë 5G.
Sipas tyre, investimi në 5G nuk mund të fillojë përpara vitit 2023 dhe mund të duhen të paktën 12 muaj për të mundësuar ndërtimin e plotë të rrjetit, qoftë edhe për qytetet e rëndësishme të vendit.
Operatorët e kanë parashikuar periudhën 2022-2023 për prova teknike dhe studime marketingu, ndërsa investimet e konsiderueshme në teknologjinë 5G priten kryesisht periudhën 2024-2025. Ata vlerësojnë se procesi do të marrë kohë. 5G, duke qenë një investim intensiv dhe duke ndryshuar teknologjinë aktuale, ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë kohë për t’u vendosur sesa rrjeti 4G.
Burimi: Business Mag