Në kuadër të marrëveshjes Open Balkan, pavarësisht se për tregjet e tjera ndërkombëtare mund të jenë mbyllur, gruri dhe misri nga Serbia do të lëvizin lirisht në drejtim të tregut dhe konsumatorit shqiptar. KËshtu ka garantuar Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca dhe ministri Serb i bujqësisë, Branislav Nedimovic të cilët kanë konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Beograd lidhur me garantimin e funksionimit të tregjeve ushqimore në rajonin tonë.
“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht. Ne garantuam njëri-tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit. Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”, tha ministrja Krifca.
Vizita dhe takimi mes dy ministrave për garantimin e funksionimit të marrëveshjes Open Balkan, veçanërisht për tregtinë e lirë të mallrave ushqimorë, vjen në një moment të vështirë për tregjet të cilat janë bllokuar nga lufta në Ukrainë./ProBizz.al