Avniu dhe Arjani janë dy sipërmarrës të cilët kanë ngritur fabrikën e vajit të ullirit “ Shqiponja “ në Kamëz dhe prodhojnë ekselencë të vajit të ullirit shqiptar. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare, ky biznes prodhon deri në 300 ton vaj në vit, ofron punë dhe bashkëpunim me mbi 800 fermerë, si dhe eksporton në tregjet më të zhvilluara të botës.
Edhe ministria e Bujqësisë Frida Krica gjatë një vizite të saj në fabrikë vlerësoi investimin dhe standardet e prodhimit.
“Vaji i ullirit organik me emrin “Shqiponja” ka fituar medaljen e artë në konkursin ndërkombëtar për vajin e ullirit në Amsterdam ndaj së bashku me ambasadorin holandez, Reinout Vos vizituam Avniun dhe Arjanin, dy mjeshtrat që prodhojnë ekselencë. Vaji përftohet nga ullishtat e kurorës së Tiranës e të Krujës, të cilët rrihen nga erërat e detit Adriatik, kanë elemente ushqyes, shumë cilësorë dhe falë teknologjisë së lartë, shtypen në fabrikën moderne të mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në Çekrezë të Kamzës”, tha ministrja.
Kjo industri është mbështetur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në makineri për linja prodhimi, përpunimi, linja standardizimi dhe linja ambalazhimi. Gjithashtu, ministrja tha se me buxhetin e vitit 2023 synohet të arrihet të ulen edhe më shumë kostot e fermerëve për prodhimin e ullirit, falë skemës së mbështetjes me naftë, e cila ka përfshirë për herë të parë edhe ullirin.
Ministrja vlerësoi sipërmarrjen Shqiponja, për ekselencën e arritur në prodhimin e vajit të ullirit organik, teksa theksoi se, “objektivat tona janë pikërisht eksperienca të tilla, të cilat fuqizojnë prodhimin tonë kombëtar, punësojnë shqiptarët, si dhe i përgjigjen kërkesës për cilësi të lartë në tregje ndërkombëtare, për rritje të eksporteve”.