Në datën 20 dhjetor 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit Sejko, i cili fillimisht falënderoi përfaqësuesit e medias për pjesëmarrjen e tyre, si dhe për profesionalizmin dhe integritetin që kanë demonstruar përgjatë gjithë vitit 2022.
Ai theksoi se në vitet e fundit ekonomia e vendit është përballur me sfida të shumta ndaj mbulimi dhe përcjellja me objektivitet dhe vërtetësi e lajmit tek publiku ka pasur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një ambienti të qëndrueshëm ekonomik e financiar.
Më tej, Guvernatori konstatoi me kënaqësi se mbulimi mediatik i zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend dhe jashtë tij ka qenë në përputhje të plotë me pritshmërinë e institucionit.
Guvernatori Sejko siguroi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion transparent, i gatshëm të japë opinionet dhe vlerësimet e rastit në të gjitha debatet publike, që lidhen me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe tregjet financiare, edhe në vitin në vijim. Banka e Shqipërisë është plotësisht e hapur të dëgjojë opinionet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të medias dhe ta thellojë më tej bashkëpunimin në të ardhmen. “Dinamika e zhvillimeve aktuale në ekonominë globale na detyron që Banka e Shqipërisë nga njëra anë dhe media nga ana tjetër, të jenë më të përgjegjshme dhe më të përkushtuara në informimin e publikut në kohë, me vërtetësi dhe në gjuhën e duhur.” – tha Guvernatori.
Në vijim të këtij aktiviteti, siç është traditë, u ndanë edhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2022”. Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, edukimin financiar etj.
Me çmimin e parë u vlerësua zj. Pegi Myshqeri, studente në Universitetin Goethe, në Frankfurt, për temën e masterit “Efektet e blerjes së aseteve nga BQE-ja, në tregjet evropiane të obligacioneve të korporatave”, çmim i cili iu dorëzua nga vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Studimi vlerëson impaktin dhe kanalet që politikat e lehtësirave sasiore në Bankën Qendrore Evropiane – më specifikisht programi i blerjeve në sektorin e korporatave (CSPP) dhe më vonë programi i blerjeve emergjente në pandemi (PEPP) – ka në yield-et e obligacioneve të korporatave, duke përdorur një përqasje empirike për vlerësimin e yield-e në euro dhe dollarë të obligacioneve të denominuara të korporatave.
Me çmimin e dytë u vlerësua z. Taulant Yzellari, student në Universiteti i Këlnit, Gjermani, për temën “Dinamikat ndërkombëtare të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe makroekonomia”, çmim i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi. Tema analizon marrëdhënien midis PBB-së, IÇK-së, çmimit të pasurive të paluajtshme, kredisë dhe normave të interesit, duke përdorur një panel VAR të balancuar, për 17 vende të OECD-së përgjatë dy periudhave kohore, 1975-2017 dhe 1984-2017, si dhe duke parë analizën e shkakësisë Granger.
Me çmimin e tretë u vlerësua z. Ilir Brasha, student në Universitetin e Tiranës, për temën “Ndikimi i shpenzimeve qeveritare në rritjen ekonomike, madhësia e multiplikatorit. Rasti i Shqipërisë”, çmim i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj. Ky material merr në shqyrtim ndikimin e shpenzimeve qeveritare në nivelin e produktit të brendshëm bruto, duke llogaritur multiplikatorin e shpenzimeve qeveritare me anë të dy metodave: metoda e vlerësimit empirik Structural Vector Auto-Regresive (SVAR) dhe Qasja e Kovës (Bucket Approach). Analiza gjithashtu fokusohet dhe në një qasje krahasuese të shpenzimeve qeveritare në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe të komponentëve të shpenzimeve qeveritare ndër vite për rastin e Shqipërisë.
Burimi: Banka e Shqiperise