Ministra e Financave po harton disa ndryshime fiskale që lidhen me taksimin e pagave, të cilat pritet të miratohen brenda këtij muaji dhe të hyjnë në fuqi në Korrik. Në tryezë është hedhur për diskutim rritja e kufirit të sipërm të pagave mbi të cilat aplikohet tatimi 23%. Në një intervistë për Radio Ejani, Z. Armand Mala, kontabilist dhe eksperti i legjislacionit tatimor shpjegon efektin që pritet të ketë ndërsa thotë se të tilla ndryshime janë të mirëpritura por kufiri i taksimit me 23% mund të rritet edhe më shumë se ajo që po planifikon qeveria.
“Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor janë një e keqe që na ka shoqëruar tashmë në fakt për shumë vite, edhe pse në shumë raporte të institucioneve që masin klimën e të bërit biznes në Shqipëri ndryshimet e shpeshta përmenden si një faktor negativ ato sërish fatin tonë të keq vazhdojnë të ndodhin, por të paktën këtë herë janë për diçka pozitive në favor të bizneseve akoma më shumë në favor të punonjësve, kështu që të tilla ndryshime janë të mirëpritura.”- tha Mala.
Eksperti na shpjegon se cfarë do të thotë ky ndryshim taksimi për personat që sot tatohen me 23%. Z.Mala thekson se nisur nga situata aktuale në vend, kufiri i taksimit me këtë normë duhet rritur edhe më shumë se sa po diskutohet sot.
“Ku u prezantua për herë të parë niveli i taksimit 23% u prezantua si tatim i pagave të luksit. Dhe në këtë fashë futeshin gjithë pagat mbi 130 mijë lekë. Fashë kjo që u kundërshtua thuajse nga të gjithë dhe në opinionin tim ky prag ishte jashtëzakonisht i ulët, pasi edhe njëri nga bashkëshortët të ishte i punësuar kjo pagë jo vetëm që nuk mund të quhej luks, por ishte në kufi po themi vetëm të të ushqyerit. Më pas u pasua me rritjen e pragut me 150 mijë, 200 mijë dhe sot ajo që po diskutohet për të kaluar në 250 mijë. Lëvizja është pozitive, por duke parë dinamikat e tregut të punës, nivelit të lartë të emigrimit që kemi së fundmi, për mendimin tim ky kufi mund të vendoset akoma më i lartë. Ndoshta dhe dyfishin e shifrës që është për diskutim, dhe ndoshta dhe atëherë mund të marrë tamam kuptim togfjalëshi pagat e luksit.”-thotë eksperti.
Për ndjekësit bën edhe një kalkulim të thjeshtë se kush përfiton më shumë.
“Përfitimin më të lartë nga ky ndryshim ligjor e kanë të punësuarit me nivel page nga 250 mijë e lart, pasi ata që janë dhe përfituesit më të mëdhenj të cilët konkretisht do të përfitojnë 250 mijë minus 200 mijë, shumëzuar me diferencën e normës së taksimit, 23 minus13% që praktikisht që bie 5 mijë lekë të rinj në muaj. Të punësuarit me një pagë nga 200 mijë deri në 250 mijë do përfitojnë aq sa aktualisht kanë pagën minus 200 mijë shumëzuar me diferencën e normës pra shumëzuar me 10%.Në mënyrë të drejtpërdrejtë absolutisht që janë punëmarrësit ata që përfitojnë pra punonjësit por normalisht por për të njëjtën nivel page bruto, paga neto është më e lartë atëherë kjo është një e mirë edhe për kompaninë, për punëdhënësit pasi ata ofrojnë një pagë neto më të lartë për të njëjtin nivel page bruto, në këtë formë duke tërhequr po themi punonjës më të kualifikuar.”
Në intervistën për Radio Ejani, Eksperti thekson se rritja e kufirit të taksimit me 23% nuk sjell ndryshim tek personat që kanë rroga nën 200 mijë lekë.
“Ky ndryshim nuk ka asnjë efekt tek punonjësit me paga poshtë 200 mijë lekë, pra ndikon vetëm ata punonjës të cilët kanë një pagë mbi 200 mijë lekë.”
Edhe pse këtë herë nisma e qeverisë është për një zbutje të taksimit për në fashë të caktuar, analistët thonë se ndryshimet e shpeshta të taksave nuk japin stabilitet.
“Ashtu sikundër u cek disi më lart, mes shumë e shumë problematikave të tjera që gjithmonë do shoqërojnë klimën e biznesit, ndryshimet e shpeshta ligjore mbetën një problem që mund të korrigjohet duke u diskutuar pra çdo ligj para se të hyjë në fuqi do diskutohet gjerësisht me grupet e interesit, të trajtohet çdo element i tij, dhe në këtë formë nuk ka nevojë për ndryshime kaq të shpeshta.”