E ardhmja po vjen, madje më shpejt se sa mund ta mendoni. Teknologjitë që për momentin janë në zhvillim e sipër, do ta ndryshojnë mënyrën se si jetojmë, mënyrën si kujdesemi për trupin tonë, dhe do të na ndihmojnë të shmangim katastrofën për shkak të ndryshimeve klimatike.
Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, teknologjia po përmirësohet me shpejtësi, duke ofruar risi të reja dhe projekte revolucionare. Disa nga mendjet më të mprehta janë duke krijuar një pjesë tjetër të teknologjisë së ardhshme, e cila do ta ndryshojë plotësisht mënyrën se si e jetojmë jetën tonë.
Mund të duket sikur përparimi shkencor është i qëndrueshëm. Por gjysmë shekullin e fundit, ne kemi përjetuar një periudhë të përmirësimeve teknologjike të jashtëzakonshme. Aktualisht po ndodhin risi të tjera që janë frymëzuar direkt nga ajo që deri dje quhej fantashkencë. Ja cilat janë disa prej tyre:
Gjenerimi i imazheve përmes Inteligjencës Artificiale
Ndërsa Inteligjenca Artificiale vazhdon t’i kryejë punët po aq mirë sa edhe njerëzit, asaj i është shtuar një industri e re: bota e artit. Studiuesit në kompaninë “OpenAI”, kanë krijuar një softuer që është në gjendje të krijojë imazhe sipas kërkesave të formuluara nga njeriu.
Mjafton të shkruani “një qen me një kapele kauboji që këndon nën shi”, dhe do të keni një mori imazhesh krejtësisht origjinale që i përshtaten atij përshkrimi. Madje, mund të zgjidhni se në çfarë stili të artit do të realizohet kërkesa juaj.
Megjithatë, kjo teknologji nuk është e përsosur dhe ka ende probleme, si për shembull kur japim kërkesa të paqarta për dizajnimin e personazheve vizatimorë. Kjo teknologji e njohur si Dall-E është versioni i dytë pas atij të parë, dhe ekipi që merret me të planifikon të vazhdojë ta zhvillojë më tej.
Në të ardhmen, ne mund ta shohim këtë teknologji të përdorur për të krijuar ekspozita arti. Po ashtu ajo mund të përdoret nga kompanitë për të bërë ilustrime të shpejta, origjinale apo sigurisht, për të revolucionarizuar mënyrën se si krijojmë meme në internet.
Robotë që lexojnë trurin e njeriut
Nuk është më një libër i fantashkencës. Përdorimi i teknologjisë së leximit të trurit është përmirësuar jashtëzakonisht shumë vitet e fundit. Një nga përdorimet më interesante dhe praktike që kemi parë të testuar deri më tani vjen nga studiuesit e “Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë” në Lozanë (EPFL).
Falë një algoritmi të mësimit të makinerisë, një krahu robotik dhe një pajisje ndërvepruese tru-kompjuter, këta studiues kanë arritur të krijojnë një mjet për pacientët tetraplegjikë (ata që nuk mund të lëvizin pjesën e sipërme ose të poshtme të trupit) për të ndërvepruar me botën.
Gjatë testeve, krahu robotik kryente detyra të thjeshta si lëvizja rreth një pengese. Më pas, algoritmi do të interpretojë sinjalet nga truri duke përdorur një pajisje EEG për të përcaktuar automatikisht se kur krahu bën një lëvizje që truri e konsideronte të pasaktë, për shembull duke lëvizur shumë afër pengesës ose duke ecur shumë shpejt.
Me kalimin e kohës, algoritmi mund t’i përshtatet preferencave individuale dhe sinjaleve të trurit. Në të ardhmen, kjo mund të çojë në krijimin e karrigeve me rrota të kontrolluara nga truri apo një makineri ndihmëse për pacientët tetraplegjikë.
Kockat e printuara në 3D
Printimi 3D është një industri që premton gjithçka, nga ndërtimi i lirë i shtëpive, deri tek armatura e fortë e përballueshme në aspektin ekonomik. Por një nga përdorimet më interesante të teknologjisë është ndërtimi i kockave të printuara 3D.
Kompania “Ossiform” është e specializuar në printimin 3D për qëllime mjekësore, duke krijuar zëvendësime specifike për zëvendësimin e kockave të ndryshme tek pacientët, nëpërmjet fosfatit të trikalciumit, një material me veti të ngjashme me kockat e njeriut. Përdorimi i këtyre kockave të printuara 3D është çuditërisht i lehtë. Një spital mund të kryejë një skaner MRI, që më pas dërgohet tek “Ossiform”, i cili krijon një model 3D të implantit specifik për pacientin që i nevojitet. Kirurgu e pranon dizajnin dhe më pas, pasi të jetë printuar, kocka mund të përdoret në kirurgji.
E veçantë tek këto kocka të printuara 3D, është fakti se për shkak të përdorimit të fosfatit trikalcium, trupi do të rimodelojë impiantet. Kjo do të thotë se ato do të mundësojnë rivendosjen e plotë të funksionit që kishte kocka që do të zëvendësohet.
Holograme shumë realiste
Hologramet mbushnin dikur librat dhe filmat fantastiko-shkencorë. Sot megjithëse ekziston, mbetet një gjë e vështirë për t’u përdorur nga të gjithë. Gjithsesi, një teknologji e mundshme që mund ta ndryshojë këtë quhet “holobricks”. E zhvilluar nga studiuesit e “Universitetit të Kembrixhit” dhe “Disney Research”, holobricks janë një mënyrë për të bashkuar holograme
të shumta për të prodhuar një imazh 3D të madh dhe pa probleme.
Problemi me shumicën e hologrameve të sotme, është sasia e të dhënave që kërkojnë të përdorin, sidomos në një shkallë të gjerë. Një ekran i rregullt HD për një imazh 2D kërkon rreth 3 GB në sekondë për t’u gjeneruar. Një hologram me madhësi dhe rezolucion të ngjashëm do të ishte më afër 3 Terrabajt (TB) për sekondë, që është një sasi e madhe të dhënash.
Për ta shmangur problemin, holobrick sigurojnë seksione individuale të një imazhi të madh holografik, duke e reduktuar shumë sasinë e të dhënave të nevojshme. Kjo përfundimisht mund të çojë në përdorimin e hologrameve për argëtimin e përditshëm të konsumatorëve si filmat, lojërat dhe ekranet dixhitale.
Rroba që mund të dëgjojnë
Teknologjia e veshjes ka bërë hapa të mëdhenj me kalimin e viteve, duke i shtuar funksione të reja aksesorëve dhe rrobat që veshim çdo ditë. Një rrugë premtuese përfshin prodhimin e rrobave që dëgjojnë. Studiuesit në “Massachusetts Institute of Technology” (MIT) kanë krijuar një pëlhurë, e cila është në gjendje të dallojë një rrahje zemre, duartrokitje apo edhe tinguj shumë të dobët.
Ekipi pretendon se ajo mund të përdoret në teknologjinë e prodhimit të rrobave për të verbrit. Po ashtu mund të përdoret në ndërtesa për të zbuluar çarje apo tendosje, apo edhe në prodhimin e rrjetave të peshkut për të zbuluar zhurmën që bën peshku nën ujë. Për momentin, materiali i përdorur është i trashë dhe është një punë ende në progres. Por shkencëtarët shpresojnë ta hedhin në treg për përdorim nga konsumatorët gjatë viteve të ardhshme.
Produktet e qumështit të prodhuara në laborator
Ju mund të keni dëgjuar për “mishin” e kultivuar në laborator. Por ç’mund të themi për ushqimet e tjera me bazë shtazore? Një numër kompanish bioteknike në rritje, po shqyrtojnë mundësinë e bulmetit të prodhuar në laborator, përfshirë qumështin, akulloren, djathin dhe vezët.
Dhe më shumë sesa një kompani mendon se e ka arritur tashmë këtë gjë. Industria e qumështit nuk është aspak miqësore me mjedisin. Ajo është përgjegjëse për 4 për qind të emetimeve të karbonit në atmosferë, më shumë sesa emetimet e udhëtimeve ajrore dhe transporti detar të marra së bashku.
Krahasuar me mishin, qumështi nuk është aq i vështirë për t’u prodhuar në një laborator. Në vend se ta prodhojnë atë nga qelizat burimore, shumica e studiuesve përpiqen ta prodhojnë atë në një proces fermentimi, duke synuar të prodhojnë proteinat e qumështit.
Disa produkte kanë dalë tashmë në treg në SHBA, nga kompani të tilla si “Perfect Day”. Ndërkohë, studiuesit po punojnë për mocarelën e prodhuar në laborator, që shkrihet në mënyrë të përsosur mbi një picë, ashtu si dhe djathërat e tjerë dhe akulloret.
Avionët me hidrogjen
Emetimet e karbonit janë një shqetësim i madh kur flitet për fluturimet komerciale. Por ekziston një zgjidhje e mundshme edhe për këtë problem. Një projekt rreth 15 milionë paundnë Britaninë e Madhe ka zbuluar planet për ndërtimin e një avioni që furnizohet me energjinë e prodhuar nga hidrogjeni .
Projekti “Fly Zero” po drejtohet nga Instituti i Teknologjisë Ajrore në bashkëpunim me qeverinë britanike. Ideja është prodhimi i një avioni me madhësi mesatare, që furnizohet me hidrogjen të lëngshëm. Ai do të kishte kapacitetin për të fluturuar me rreth 279 pasagjerë në bord deri në gjysmën e perimetrit të botës pa u ndalur. Nëse do të mund të realizohet kjo teknologji, do të kemi fluturime me zero emetime karboni në atmosferë dhe pa ndalesa midis Londrës dhe Amerikës Perëndimore, apo Londrës dhe Zelandës së Re me një ndalesë të vetme.
“Binjakët” dixhitalë që analizojnë shëndetin tuaj
Në sagën e famshme “Star Trek”, ku lindën shumë nga idetë tona për teknologjinë e së ardhmes, qeniet njerëzore mund të ecnin në “medbay” dhe të skanonin të gjithë trupin e tyre në mënyrë dixhitale për shenja sëmundjesh apo lëndimesh.
Arritja e kësaj në jetën reale, thonë ekspertët e kompanisë “Q Bio”, do të përmirësonte gjendjen shëndetësore të njerëzve, dhe do të lehtësonte ngarkesën e mjekëve. Kompania amerikane ka ndërtuar një skaner, që do të matë qindra biomarkera në rreth 1 orë, nga nivelet e hormoneve tek dhjami i grumbulluar në mëlçinë tuaj, nga shënuesit e inflamacionit deri tek çdo lloj kanceri.
Ai synon t’i përdorë këto të dhëna për të prodhuar një avatar dixhital 3D të trupit të pacientit – i njohur si binjaku dixhital – që mund të gjurmohet me kalimin e kohës dhe të përditësohet me çdo skanim të ri. Shefi ekzekutiv i “Q Bio”, Xhef Kadic shpreson se kjo shpikje të çojë në një epokë të re të mjekësisë parandaluese, të personalizuar, në të cilën sasitë e mëdha të tëdhënave të mbledhura do të ndihmojnë jo vetëm mjekët që t’i japin përparësi pacientëve të caktuar, por do të zhvillojnë mënyra më të sofistikuara për diagnostikimin e sëmundjes.
Universet e realitetit virtual
Pasi bëri ndryshimin e emrit, kompania e njohur dikur si Facebook njihet sot si Meta.
Kjo shënon lëvizjen e Zuckerberg dhe ekipit të tij të madh drejt metaversit, një internet i aksesuar kryesisht përmes realitetit virtual dhe atij të shtuar.
Si pjesë e kësaj lëvizjeje, Meta do t’i kushtojë më shumë kohë pajisjeve për të hyrë në këtë botë të re. E promovuar në vitin 2021, Meta ka zhvilluar një lloj kufje të re “Project Cambria”. Në dallim nga “Oculus Quest 2”, kjo nuk do të jetë një pajisje për konsumatorin e zakonshëm.
Përkundrazi, ajo synon të ofrojë përvojën më të mirë të realitetit virtual. Cambria është e përqendruar në gjurmimin e përparuar të syve dhe fytyrës, ka një rezolucion më të lartë, fushëpamje më të gjerë, dhe madje përpiqet t’i bëjë kufjet dukshëm më të vogla. Midis Meta, Google, Sony dhe shumë kompanive të tjera të mëdha të teknologjisë, realiteti virtual do të ketë përmirësime drastike gjatë 2 viteve të ardhshme.
Kapja e Drejtpërdrejtë e Ajrit
Nëpërmjet procesit të fotosintezës, pemët kanë mbetur një nga mënyrat më të mira për të reduktuar nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë. Megjithatë, një teknologji e re mund të kryejë të njëjtin rol si pemët, duke thithur dioksid karboni në nivele më të larta.
Kjo teknologji njihet si Kapja e Drejtpërdrejtë e Ajrit (DAC). Ajo përfshin thithjen e dioksidittë karbonit nga ajri dhe ruajtjen e CO2 në vrima të thella gjeologjike nën tokë, ose përdorimin e tij në kombinim me hidrogjenin për të prodhuar lëndë djegëse sintetike.
Ndërsa kjo teknologji ka një potencial të madh, për momentin është shumë e ndërlikuar, pasi modelet aktuale kërkojnë një sasi të madhe energjie. Nëse mund të reduktojë nivelet e energjisë në të ardhmen, DAC mund të jetë një nga përparimet më të mira teknologjike për të ardhmen e mjedisit.
Funeralet e gjelbra
Vdekja e njeriut priret të jetë një proces që prodhon shumë karbon. Djegia e një trupi thuhet se çliron rreth 400 kg dioksid karboni në atmosferë. Cila është zgjidhja? Në shtetin e Uashington në SHBA, trupat e pajetë vendosen në dhoma së bashku me lëvore pemësh, kashtë dhe komponime të tjera që nxisin dekompozimin natyror.
Brenda 30 ditëve, trupi i të ndjerit shndërrohet në një tokë pjellore e cila mund të shpërndahet në një kopsht ose pyll. Në vitin 2019, aktori i ndjerë Luk Perri u varros me një “kostum kërpudhash” të dizajnuar nga start-up “Coeio”. Kompania pretendon se kostumi i saj, përbehet nga kërpudha dhe mikroorganizma të tjerë që ndihmojnë dekompozimin e trupit dhe neutralizojnë toksinat që çlirohen kur dekompozohet një trup.
Burimi: Bota.al