Në një botë ku teknologjia dhe udhëtimet bashkohen gjithnjë e më shumë, startup-i “What in Albania” shfaqet si një shembull i inovacionit në sektorin e turizmit shqiptar. Ky aplikacion telefonik ofron një platformë të plotë dhe të integruar për turistët, duke ndihmuar ata të eksplorojnë dhe të përjetojnë Shqipërinë në mënyrë të organizuar dhe të përshtatshme.
“What in Albania” siguron informacion të detajuar për destinacionet natyrore dhe kulturore, opsione të akomodimit, aktivitete lokale, ushqim, pijet, si dhe shërbime të tjera të rëndësishme si transporti publik dhe shërbimet shëndetësore. Duke përdorur teknologjinë për të ofruar një guidë të personalizuar dhe të cilësuar për përdoruesit, startup-i synon të bëhet udhërrëfyesi kryesor për çdo vizitor që kërkon të njohë dhe të eksplorojë Shqipërinë.
Aktualisht në fazën e zhvillimit të mëtejshëm, “What in Albania” ka për qëllim të rrisë përvojën e përdoruesve duke identifikuar dhe adresuar nevojat e tyre të përditshme. Duke u mbështetur në një ekip të përkushtuar dhe një vizion të qartë për të ndihmuar në rritjen e turizmit në vend, startup-i synon të krijojë një impakt të qëndrueshëm dhe të frytshëm në sektorin e turizmit në Shqipëri. Për të mësuar më shumë rreth këtij startup-i, ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme.
Si ka nisur startupi juaj? Në çfarë faze është aktualisht?
Si çdokush në moshën tonë, energjia na udhëheq të kërkojmë gjithmonë diçka që na sfidon, që na bën më të mirë e na bën të jemi më krenar për vete. Kështu nisi dhe startup-i ynë, “What in Albania”, si një dëshirë për të bërë diçka për vete dhe për vendin. Përmes krijimit të WIA ne synuam të adresonim sado pak mungesat dhe vështirësitë që turistët përballen gjatë qëndrimit në Shqipëri. Vëzhguam që turizmi në vend po rritej, por mungesa e koordinimit të transportit, burimeve njerëzore dhe komunikimit të integruar ishin disa nga pengesat kryesore. Kjo na frymëzoi për të krijuar një aplikacion që lehtëson qëndrimin e turistëve, duke u ofruar informacion të integruar dhe shërbime të personalizuara. Aktualisht, “What in Albania” është në fazën e zhvillimit të mëtejshëm, duke identifikuar çdo ditë nevoja të reja të përdoruesve për ta bërë eksperiencën e tyre në WIA sa më të lehtë dhe gjithëpërfshirëse. Ne synojmë ta bëjmë WIA destinacionin virtual parësor për turizmin në Shqipëri.
Nëse jeni një skuadër, si i keni ndarë rolet tuaja?
WIA ka nisur si një inciativë familjare, një skuadër e vogël, por shumë e përkushtuar e përbërë nga unë, vellai dhe partnerët tanë në jetë. Fati ynë i madh në këtë pikë është që ne të katërt kemi kombinim aftësish të ndryshme, të cilat të bëra bashkë na bëjnë ekipin perfekt për këtë nismë. Nga IT, menaxhimi i projektit, grafik designer dhe financa, ne të katërt e mbulojmë fare mirë çdo nevojë që WIA ka. Por, sigurisht kjo nismë kaq komplekse ka nevojë për më tepër mbështetje ndaj nuk mund të lë pa përmendur gjithashtu dy mikeshat tona që punojnë pa u lodhur për hedhjen e materialeve në system, apo dhe ekipin e marketingut që po kujdeset që kjo nismë të ketë dukshmëri sa më të lartë. Një aplikacion kaq i plotë nuk do të bëhej dot vetëm ndaj si në çdo iniciativë, puna në grup është çelësi i suksesit dhe për WIA.
Çfarë synoni të realizoni me këtë nismë dhe startup?
Synimi ynë kryesor është të lehtësojmë eksperiencën e turistëve në Shqipëri, duke u ofruar një platformë të plotë dhe të integruar ku mund të gjejnë çdo informacion që u nevojitet, nga vendet historike dhe natyrore, deri te restorantet dhe aktivitetet lokale. Ne duam që “What in Albania” të bëhet një udhërrëfyes i besueshëm dhe i domosdoshëm për çdo turist që viziton vendin tonë, duke ofruar një shërbim cilësor dhe të personalizuar për të gjithë përdoruesit. Ne po kujdesemi që të përdorim teknologjinë në mënyrë sa më efiçente në shërbim të turizmit, ndaj dhe kemi integruar në platformë guidën inteligjente, e cila të ndihmon të bësh programin tënd ditor, apo dhe guidën zanore që të mundëson të dëgjosh çdo informacion për destinacionin që ke zgjedhur të vizitosh.
A keni mbështetje në këtë drejtim? Pra, si po e ndërtoni startup-in?
“What in Albania” është e financuar tërësisht me buxhet personal, ndaj mund të them me bindje që mbështetja më e madhe për këtë jemi vetë ne. Por, që ky app të marr një hov të tillë si në momentin që flasim, ku numri i shkarkimeve ka arritur mbi tridhjetë mijë e vazhdon të rritet çdo ditë, patjetër ka qenë mbështetja maksimale e çdokujt që besoi te kjo nismë. Suksesi i “What in Albania” vlerësohet nga numri i përdoruesve, ndaj u jam përjetësisht mirënjohëse kujtdo që na ka besuar dhe e ka shkarkuar këtë aplikacioni dhe i ka pëlqyer eksperienca që gjen duke lundruar në WIA. WIA synon të shndërrohet në vendtakimin më të mirë të turistit me biznesin, ndaj një fokus të madh jemi duke i kushtuar dhe eksperiencës së biznesit në WIA. Mbështetja e biznesit luan një rol të konsiderueshëm në ecurinë e WIA, ndaj ne po punojmë çdo ditë që ta fitojmë këtë mbështetje, duke e afruar gjithmonë e më shumë biznesin me turistin. Mbështetje e madhe për ne kanë qenë gjithashtu dhe ata ndikues në rrjetet sociale, që nuk kanë hezituar për ta publikuar WIA në faqet e tyre duke rritur kështu shikueshmërinë e këtij inovacioni. Ne po ndërtojmë startup-in tonë me një qasje të integruar, duke u fokusuar në cilësinë e shërbimeve dhe në krijimin e një përvoje të paharrueshme për përdoruesit tanë, qofshin ata turistë, apo biznese.
Kujt i drejtohet më së shumti, kush është përdoruesi?
“What in Albania” ka dy kategori përdoruesish kryesor: Turistët të cilët kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë në mënyrë më të organizuar dhe të lehtë, dhe Biznesi i cili ekspozon shërbimet e tij në platformë për të qenë më afër me turistin. Ne e konsiderojmë si vendtakimi më i mirë të përdoruesit të sherbimeve turistike dhe ofruesit të tij, ndaj bashkë me programuesit po punojmë çdo ditë që ta bëjmë këtë pikë takimi çdo ditë e më të dobishme.
Si mendoni t’i bëni të qëndrueshëm si biznes?
Ne jemi krenar për këtë që kemi krijuar dhe synimi ynë kryesor është që ky projekt të jetë i qëndrueshëm në kohë dhe të jetë i dobishëm për këdo që e përdor atë. Ekipi i gjithë po punon që WIA të shndërrohet në sinonimin kryesor të turizmit, ku “WIA” dhe “Turizëm në Shqipëri” të jenë togfjalësh që gjithmonë do jenë bashkë, kur dikush kërkon të vizitojë vendin tonë të bukur. Kjo nismë do ketë suksese për sa kohë do të ketë mbështetjen e turistit që e shkarkon dhe të biznesit që kërkon të integrohet për të ekspozuar shërbimet e lidhura me turizmin, ndaj e gjithë energjia jonë është e fokusuar për të mbajtur të kënaqur këto dy hallka me rëndësi maksimale në WIA. Gjithashtu po investojmë në marketing dhe promovim për të rritur ndërgjegjësimin dhe përdorimin e aplikacionit, sepse besojmë se duke ofruar një produkt cilësor dhe të vlefshëm për përdoruesit tanë, do të arrijmë të krijojmë një bazë të qëndrueshme dhe të përhershme klientësh.
Çfarë pret një turist të gjejë në WIA?
“What in Albania” është aplikacion telefonik, i cili shërben si një guidë turistike për çdo turist vendas, apo të huaj. Në platformën tonë një turist pajiset me informacion 360° për gjithçka që i nevojitet të dijë për Shqipërinë në mënyrë që ta bëjë eksperiencën e tij sa më të kënaqshme. Platforma është e akesueshme falas dhe me pagesë dhe përmban informacionet si më poshtë:
– Destinacionet Natyrore
– Destinacionet Kulturore
– Vendet më tërheqëse për qytetet (sheshe, pedonale, lagje etj)
– Akomodim (hotel, apartament, apo kamping)
– Ushqimin
– Pije dhe argëtim
– Aktivitete
– Ture Lokale
– Mjete me qera
– Wellness (SPA, Estetik etj)
– Shëndeti (klinka dentare, estetike etj)
– Informacion mbi transportin publik
– Informacion mbi shërbimet utilitare (spitalet, komisariatet e policisë, zjarrëfikës, farmacitë)
– Guidën Inteligjente
– Guidën zanore
– Kupona me ulje në biznese të ndryshme