Transporti ajror shënoi rritje të ndjeshme gjatë 3-mujorit të dytë të vitit, në drejtim të transportit të pasagjerëve. Sipas të dhënave nga Instituti i Statstikave, në total për periudhën prill – qershor udhëtuan me linja ajrore 1.747.887 pasagjerë apo 30.7% më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, volumi i mallrave të tregtuara, ku përfshihet eksporti dhe importi me ajër në tremujorin e dytë 2023 rezultoi në 386 ton apo me 5,6 % më shumë se 3-mujori i dytë i vitit 2022.
Sipas INSTAT volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e dytë 2023 zë 0,02 % ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara. Ndërkaq, volumi i mallrave, duke përfshirë postën të transportuara me ajër rezultoi 497,6 ton, nga të cilat 79,7 % janë mallra të hyrë dhe 20,3 % janë mallra të dalë. Në transportin ajror, posta zë 12,5 % të volumit gjithsej të mallrave të transportuar me ajër.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2022, volumi i mallrave të transportuara me postë paraqitet me rritje 0,5 %. Aktualisht, në transportin ajror operojnë 20 shoqëri ajrore, nga të cilat 18 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë 2023, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 81.737 avionë. Numri i mbikalimeve në hapësirën ajrore shqiptare rezultoi 69.269, duke u rritur me 17,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2022.
Burimi: Scan Tv