Nxënësit e zgjuar dhe me ambicie nuk mungojnë në shkollën e mesme në Shëmri të Kukësit. Mjafton të themi se disa prej tyre bëjnë rrugë të gjatë nga fshatrat përreth për të mbërritur në Shëmri. Ata janë positive dhe plot shpresë për jetën. Por, investimet në këtë shkollë, ashtu si në shumë të tjera në për fshatra lënë shumë për të dëshiruar. Kjo situate ka prekur një prej ish-nxënëseve më të mira të kësaj shkolle, e cila është vënë në lëvizje për të pajisur sallën e teknologjisë së informacionit dhe për të furnizuar bibliotekën e shkollës me libra dhe tavolina. Falë nismës së saj dhe dy sipërmarrësve të tjerë, sot shkolla ka një sale kompjuterike të pajisur plotësisht me kompjutera tavolina dhe karrike. Biblioteka është më e pasur dhe mësuesit e nxënësit kanë mundësi të printojnë material dhe të bëjnë prezantime me videoprojektor.
Dy të rinj,njëri ish-nxënës të kësaj shkolle dhe tjetri,djali i një prej ish-mësuesve janë bashkuar nismës dhe më tej edhe Shtëpia Botuese “Toena”, e cila dhuron një listë të gjatë me tituj librash jashtëshkollorë, të vlefshme për nxënësit e shkollës së mesme.
Arben Shpata, i cili jeton dhe drejton një sipërmarrje në Romë, është ish-nxënës i kësaj shkollë. Ai thotë se ndihet i keqardhur për numrin e reduktuar të nxënëseve. “Në vitet tona të studimit, shkolla gumëzhinte nga fëmijët dhe të rinjtë e shumtë. Sot të rinjtë e mbetur në komunën Malzi, në Kukës,janë shumë pak. Do të doja të shikoja investime të reja, private dhe publike. Do të doja të rimerrte gjallërinë e merituar kjo zonë e pasuri me burime natyrore, traditë dhe me njerëz me zemër të bardhë. Përsa i përket kësaj shkolle, mbështetja jonë për nxënësit vetëm sa ka filluar.
Zekri Picari, sipërmarrës i ri në SHBA, tregon se, “iu bashkua pa hezitim nismës së Albana Mucaj, për të kontribuar në këtë shkollë. Ajo është shkolla ku babai im ka dhënë mësim dhe jam shumë i lumtur që Albana më bëri pjesë të kësaj nisme të vogël, por me zemër shumë të madhe”.
Albana Mucaj, e cila ndërmori këtë nisme, tregon se u impresionua nga përgjigjia positive dhe e menjëhershme e miqve dhe të njohurve të saj. “Ende pa përfunduar bisedën ata u përgjigjën pozitivsht. E njëjta gjë ndodhi me edhe me miken time Irena Toci, e cila vuri në dispozicion në sasi librash”. Albana kujton se lidhja me këtë shkollë është më e fortë se ajo e nxënësit me shkollën, pasi babai i saj i ndjerë ishte nëndrejtor i shkollës për disa vite, në fillim të viteve ’90.
Nuk nevojitet shumë për të përmirësuar kushtet e punës së një nxënësi në shkollë. Ndaj, një nismë e tillë do ishte mirë të shtrihej nga ish-nxënës edhe në shkollat e tyre nëpër fshatra, apo qytetet e vogla, prej vitesh në pritje të investimeve të munguara publike.