Kufizimi i lëvizjes së qytetareve dhe bllokimi i muzikeës që në orën 22 është shqetësimi kryesor për operatorët turistik. Ata i kanë drejtuar një letër komitetit teknik që të rishikojnë masat e vendosura, pasi veprimtaria e cunguar po u sjell humbje të mëdha financiare.
Ata kërkojnë heqjen e orës policore dhe shtyrjen e orarit të muzikës.
Sipas tyre mbajtja në fuqi e orës policore, nga 23:00 deri në orën 6:00, mos lejimi i muzikës në lokale pas orës 22:00 dhe mos lejimi i eventeve me mbi 50 persona, po sjell vështirësi në këtë sektor si dhe shërbimet për turistët e huaj.
Përfaqësuesit e 250 sipërmarrjeve private, pjesë e grupimit Unionit Turistik Shqiptar, nëpërmjet një letre drejtuar ministres së Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, Mira Rakacolli – Drejtoreshë e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, kanë kërkuar ndryshim të masave kufizuese të Covid-19.
Ata kanë dy kërkesë, ku e para është heqja e orës policore pasi sipas tyre turistët që vijnë nga jashtë u qëllon që të udhëtojnë natën nga aeroporti i Rinasit dhe shpesh herë janë penalizuar nga policia për shkak të masave kufizuese të Covid-19.
“Siç jeni në dijeni shumë vende europiane, përfshrë edhe fqinjët tanë, me qëllim që të mos shkaktojnë barriera gjatë sezonit turistik kanë hequr orën policore, lejojnë organizimin e eventeve në ambiente të hapura, taraca, veranda, oborre deri në maksimum 100 persona, por jo më shumë se 50 përqind e kapacitetit të hapësirës, lejojnë muzikën gjatë organizimit të eventeve, në pajtim me protokollin adekuat dhe brenda nivelit të zhurmave, duke garantuar komoditet për çdo pushues vendas dhe të huaj.” – thuhet ne letër.
Kërkesa e dytë e Unionit Turistik Shqiptar, lidhet me shtyrjen e orës së lejimit të muzikës. Ata kërkojnë që muzika të lejohet deri në mesnatë në orën 00:00 dhe jo siç është tani deri në orën 22:00.
“Për shkak të moslejimit të muzikës pas orës 22:00 kemi marrë shumë ankesa nga turistët të cilët janë të pakënaqur ngaqë nuk kanë ardhur për t’u mbyllur në dhomë, po për të pushuar dhe për t’u argëtuar, me qëllim që turistët të marrin kënaqesinë e pushimeve, sugjerojmë që ky orar të zgjatet deri në oren 24:00 në mënyrë që të mos u shkaktohet mërzitje turisteve, pasi ora 22:00 nuk mjafton duke pasur parasysh faktin që giatë periudhës së verës kjo orë është koha që errësohet dhe gjate ditës njerëzit janë në punë dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetarët”- theksohet në letër.