Në mbledhjen e datës 2 nëntor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të rritet në nivelin 2.75%; norma e interesit të depozitës njëditore të rritet në nivelin 1.75% si dhe norma e interesit të kredisë njëditore të rritet në nivelin 3.75%.
Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi:
Ndryshime në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” dhe në rregulloren “Për kapitalin rregullator të bankës”
Këto ndryshime rregullative synojnë përafrimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me acquis të BE-së, duke mbajtur në konsideratë edhe specifikat dhe nivelin e zhvillimit në sistemin bankar shqiptar. Ato konsistojnë kryesisht në prezantimin e disa kërkesave të reja dhe në rishikimin e kërkesave ekzistuese mbi titullzimin dhe rrezikun e tregut, me qëllim përafrimin me aktet përkatëse të BE-së të hartuara apo të përditësuara vitet e fundit.
Ndryshimet rregullative janë të parashikuara edhe në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE) 2022-2024 për t’u realizuar gjatë vitit 2023, duke plotësuar në këtë mënyrë edhe një nga detyrimet e Bankës së Shqipërisë që burojnë nga ky Plan.
Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.
Burimi: Banka e Shqiperise