Më 1 shkurt 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1.75%
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 3.75%
“Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, përgjithësisht, më i mirë se pritjet tona. Inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare,” – është shprehur Guvernatori Gent Sejko.
Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm.
“Pasi kulmoi në nivelin 8.3% në muajin tetor, norma e inflacionit zbriti në 7.4% në fund të vitit. Në aspektin e shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të naftës dhe të disa artikujve ushqimorë, të diktuara nga ecuria e ngjashme e këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, normat e inflacionit të shërbimeve dhe të artikujve të tjerë mbeten në nivele të larta, të krahasueshme me ato të muajve paraardhës,” – informon z. Sejko.
Rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave.
“Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit.”
Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet pozitive.
Burimi: Banka e Shqiperise