Sipërmarrësi serial Richard Branson i kthen përgjigje pyetjes së një komentuesi të tij mbi faktin se si të kapërceni dyshimet kur ndiqni një ëndërr:
Suzy Kassem thotë se, “dyshimi vret më shumë ëndrra sesa dështimi”. Për herë të parë i dëgjova këto fjalë disa vjet më parë dhe ato më kanë mbetur në mendje që atëherë.
Ajo që kam mësuar gjatë gjithë jetës sime është se çdo sukses ndërtohet mbi 1000 dështime (ose “mundësi për të mësuar”, pasi më pëlqen të mendoj për to kështu). Sa herë që hyn dyshimi, unë i kujtoj vetes se ëndrrat nuk janë lineare. Unë gjithashtu mendoj për të gjitha risitë dhe zbulimet brilante që do të kishin dështuar nëse shpikësit e tyre do të ishin dorëzuar ndaj dyshimeve të tyre. Jam i sigurtë se të gjithë nga Thomas Edison e deri te Gertrude Stein dyshuan në ëndrrat e tyre herë pas here, por ndryshimi është se ata nuk e lanë dyshimin t’i largojë nga fokusi i tyre.
Është gjithmonë një ide e mirë të diskutoni çdo dyshim që keni me kolegët dhe miqtë dhe të dëgjoni vërtet reagimet e tyre. Nëse ndiheni më të sigurtë pas këtyre bisedave, largoni nga mendja dyshimet dhe jepini forca vetes.
Është gjithashtu e shëndetshme dhe krejtësisht njerëzore të keni pak dyshime. Kjo është mënyra se si ne përparojmë dhe qëndrojmë në kontakt me realitetin. Dyshimet tuaja mund të sinjalizojnë një problem shqetësues që duhet të adresohet. Nëse kërkoni prova nga dyshimi juaj, do të jeni në gjendje ta shtypni atë ose ta zgjidhni problemin.
Një ditë pasi filluam Virgin Atlantic, menaxheri i bankës erdhi në shtëpinë time dhe më kërcënoi se do të na mbyllte. Arrita ta largoj nga dera dhe mblodha ekipin tim për të gjetur një zgjidhje. Ishte një moment shumë i vështirë, por unë nuk lejova që dyshimi të na rrethonte dhe ne e rregulluam shpejt problemin.
Nëse gjërat me të vërtetë fillojnë t’ju vënë nën presion, këshilla ime do të ishte të dilni jashtë, të merrni pak ajër të pastër dhe të pini një filxhan çaj. Sa herë që dyshimi fillon të më kaplojë, shkoj stërvitem. Marr biçikletën time, luaj pak tenis ose kaloj pak kohë produktive me familjen time. Kjo është shpesh kur më vijnë edhe idetë më të mira!
Burimi: linkedin