Një nga arsyet se përse na pëlqen kaq shumë të udhëtojmë është për shkak të krijimit të ndjesive të reja, që na bëjnë t’i rikthehemi natyrshëm fëmijërisë, atëhere kur bota ishte një e panjohur që duhej ta zbulonim. Këto emocione do të merrni dhe në Liqenet e Lurës, ku do përqafoheni nga një bukuri natyrore që do të doni ta përjetoni deri në fund.
Tashmë është e njohur shprehja e At Gjergj Fishtës, i cili në fillim të shekullit të XX shprehej se ‘kush nuk ka parë Lurën nuk njeh Shqipërinë’. Shtrirë në Malësinë e Lurës, janë plot 12 liqene që zbukurojnë të gjithë Parkun Kombëtar të Lurës, ku ndër më të mëdhenjtë e më mbresëlënësit përmenden Liqeni i Madh, Liqeni i Zi, Liqeni i Luleve, Liqeni i Rrasave, Liqeni i Hotit etj.
Karakteristikat
Liqeni i Madh gjendet në lartësinë e 1600 metrave të malit të Kurorës së Lurës dhe përbën një liqen akullnajor me ujë të kristaltë. Karakteristika të ngjashme shfaq dhe Liqeni i Zi, që dallon për faktin se është liqeni më i thellë i të gjithë parkut, e prej andej rrjedh dhe ngjyra e errët e tij.
Tek sa një pjesë e liqeneve mbulohen nga akulli në dimrin e ftohtë apo disa prej tyre thahen gjatë verës së nxehtë, pranvera është padyshim stina më e këshilluar për të vizituar parkun. Pyjet e dendura të ahut që shtrihen deri në lartësine 1600-1700 metrave, pishat e zeza e të bardha apo arneni i zi dhe i bardhë që rriten mbi lartësinë e 1700 metrave, dhurojnë peizazhe spektakolare që ripërtërijnë shpirtin e dekorojnë shkëlqyeshëm liqenet.
Jo vetëm pyjet përreth, por edhe vetë liqenet në pranverë vishen nga lulet shumëngjyrëshe, ku zambakët apo bimët e tjera higrofile krijojnë një ambjent përrallor. I tillë ështe dhe rasti i Liqenit të Luleve, që mban këtë emër dhe për shkak të zambakëve të mëdhenj të bardhë që e veshin liqenin me një bukuri dehëse.
Speciet e ndryshme që popullojnë Liqenet e Lurës
Që nga rrëqebulli apo zardafi grabitqar, deri tek kaprojt, gjelat e egër apo arinjtë e murmë, të shumta janë speciet që popullojnë zonën. Për fat të keq prerja masive e pyjeve gjatë viteve ’90 bëri që shumë prej tyre të rrallohen deri në gjendje kritike. Hyrja në fuqi e moratoriumit kundër prerjes së pyjeve ka bërë që situata të përmirësohet dhe të hidhen bazat për një të ardhme dinjitoze të Parkut në Dibër.
Në vende të caktuara mund të admirosh panoramën e disa liqeneve njëherazi, e ta shtrish vështrimin tej largu në Vargmalet e Lurës. Përrenjtë malorë si Seta, Uraka apo Malla e Lurës përshkojnë parkun, duke gjallëruar e i dhënë vrull një bote natyrore që vërtet nuk mund të kishte qenë krijuar më mrekullisht se kaq.
Sugjerime
Parku mund të vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë – Fushë Lurë. Në rast se keni nevojë per mjekime të caktuara është e këshillueshme që të furnizoheni përpara se të niseni për në Lurë. Nuk ka mundësi për të blerë të tilla në zonë e farmacia më e afërt është në një distancë prej rreth 3 orë e 30 minuta me makinë. Mos ngurroni të keni me vete elektrik dore për lëvizje natën, këpucë të mira për ecje, veshje waterproof (që nuk lagen) e nëse do vendosni të vizitoni liqenet përpiquni që të keni me vete një udhërrëfyes që i njeh shtigjet e rrugët. Mos harroni t’i merrni pas me vete në qytet mbeturinat tuaja plastike, metalike dhe sidomos bateritë e përdorura. Në krahinën e Lurës nuk ka asnjë mënyrë për të ricikluar mbetje të kësaj natyre.
Burimi: Into Albania