Një model i pullës së parë postare në botë, Penny Black, po ofrohet në ankand. Këtë e lajmëroi Sotheby’s të martën, me një vlerësim të çmimit deri në 8.25 milionë dollarë.
Artikulli daton që nga viti 1840 dhe është “modeli më i hershëm i pullës së parë postare”, sipas shtëpisë së ankandit. Ajo do të prezantohet në shitjen “Thesaret” më 7 dhjetor.
Pulla ngjitëse, e cila përmban një profil të Mbretëreshës Viktoria, i është bashkangjitur një dokumenti të datës 10 prill 1840, nga arkivi i reformatorit britanik të shërbimit postar Robert Wallace, një politikan skocez. Penny Black, i cili prezantoi një tarifë fikse, u përdor nga 6 maj 1840. Para kësaj, marrësi paguante koston e postës.
“Kjo është pulla e parë, paraardhësi i të gjitha pullave dhe pa mëdyshje pjesa më e rëndësishme e historisë filatelike që ekziston,“-tha në një deklaratë Henry House, kreu i Treasures Sale të Sotheby.
“Megjithëse ka shumë pulla jashtëzakonisht të rëndësishme në koleksione publike dhe private në mbarë botën, kjo është pulla që filloi sistemin e postës siç e njohim ne.”
Pulla është një nga tre Penny Blacks që besohet se kanë mbijetuar që nga fleta e parë e pullave të shtypura. Dy të tjerët janë pjesë e koleksionit në Muzeun Postar Britanik.
“Fakti që Wallace nënshkroi, datoi dhe lëshoi shënimin e tij… mbështet faktin se ky është modeli i parë i një pulle postare, të cilën sigurisht çdo vend e përdor tani,” tha Alan Holyoake, një biznesmen dhe filatelist.
Është i pari i këtij lloji që ofrohet në ankand, tha Sotheby’s. Pullës i është dhënë një vlerësim i çmimit prej 4 milion – 6 milion paund (5.50 milion dollarë – 8.25 milion dollarë).