Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, bashkë me Kryeministrin Edi Rama, prezantoi buxhetin për fermerët, për vitin 2022.
Krifca theksoi mbështetjen që qeveria ka dhënë ndaj këtij sektori, duke bërë me dije prioritetet e këtij buxheti për bujqësinë, si garantimi i sigurisë ushqimore, rritja e eksporteve, qëndrueshmëria e turizmit rural, digjitalizimi dhe inovacioni.
“7.1 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen dhe investimet për zhvillimin rural”, tha Ministrja në fjalën e saj.
Krifca gjithashtu bëri me dije se nëpërmjet nxitjes së produktivitetit synohet rritja e eksporteve synohet të arrihet, duke mbështetur dhe financuar rritjen e sipërfaqes së serave, fuqizimin e fermave të mëdha, forcimin e agropërpunimit, rritjen e mekanizimit dhe teknologjitë inovative.
Sipas Ministres, skema kombëtare e mbështetjes do të dyfishohet vitin e ardhshëm dhe do të përmbajë prodhim të qumështit, perime në serra, bimë mjekësore dhe aromatike, ferma organike.
Më tej, Krifca shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm do vazhdojë t’i mbështesë fermerët me naftë dhe do të shtojë kulturën e ullirit.
“Është shumë i qartë edhe prioriteti për sigurinë ushqimore dhe se fondet na lejojnë të investojmë në kapacitete monitorimi, në përmirësimin e analizave dhe akreditime të reja laboratorike, në gjurmueshmëri dhe higjenë.“- shtoi ajo.
Në vitin 2022, do të fillojë të zbatohet Programi IPARD II, me një buxhet total prej 146 milionë euro. Mbështetja dhe prodhimi i bimëve medicinale, ulliri, peshkimi dhe përpunimi i tyre janë një risi për bujqësinë, pasi nuk mbështeteshin më parë nga IPARD.
“Gjithashtu, nëpërmjet IPARD do të shtojmë pesë masa të reja mbështetje që përfshijnë pyllëzimin, infrastrukturën rurale, shërbimet e këshillimit, masat ndaj ndryshimeve klimatike dhe fermat organike.”, u shpreh Krifca.
Me fokus te dija, si i vetmi mekanizëm i zhvillimit, do të ndihmohen fermerët me informim dhe këshillim me një buxhet të dedikuar prej 634 milionë lekësh.
“Do të financojmë projekte për bujqësi të digjitalizuar, me vlerë rreth 103 milionë lekë, që do të ndihmojnë në ngritjen e regjistrave të fermës, të sistemeve të aplikimeve online, duke ulur barrën për aplikantët dhe rritur transparencën.”- vijoi Krifca në fjalën e saj.
Krifca përfundoi duke shprehur angazhimin total dhe bashkëpunim të plotë në shërbim të zhvillimit, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./ProBizz.al