Grupi BALFIN ka arritur marrëveshjen për kalimin e pronësisë së kompanisë Albchrome Holding sh.p.k. tek ndërkombëtarët e Grupit Yildirim. Marrëveshja është nënshkruar nga përfaqësues të të dyja palëve dhe procesi përfundoi në 14 janar 2022. Ky zhvillim nuk do të ndikojë tek punonjësit, pasi përfaqësuesit e Grupit Yildirim janë angazhuar të mos prekin personelin dhe gjithashtu të vazhdojnë strategjinë e investimit të nisur nga Grupi BALFIN.
Albchrome Holding sh.p.k. është kompania shqiptare që zotëron minierën e Bulqizës, uzinat e shkrirjes së ferrokromit në Burrel dhe Elbasan, si edhe Vllahen Mining. Ajo u bë pjesë e Grupit BALFIN në 2013, kur pronarët e mëparshëm e dorëzuan në prag falimentimi, të mbytur në borxhe, me paga të papaguara, por edhe të paralizuar nga infrastruktura e vjetëruar teknike.
Grupi BALFIN vuri menjëherë në zbatim një plan për ta risjellë në jetë minierën, duke filluar me investimet në teknologji të re dhe rehabilitimin e punonjësve. Totali i investimeve arrin vlerën 67 milionë dollarë amerikanë, ku përfshihen investime madhore edhe gjate viteve 2020-2021, me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues dhe efikasitetit me kosto më të ulët, për të arritur tek procesi i punës dhe produkti përfundimtar i optimizuar. Standardet e shëndetit dhe sigurisë në punë janë përmirësuar rrënjësisht; këtë e konfirmon edhe ulja e numrit të incidenteve shëndetësore të lidhura me punën. Me të marrë në administrim kompaninë, Grupi BALFIN i dha përparësi situatës ekonomike të më shumë se 1 100 punonjësve të saj.
Sot Albchrome Holding sh.p.k. është një nga eksportuesit kryesorë të Shqipërisë. Sasitë e prodhimit janë rritur nga 24 000 tonë ferrokrom në vitin 2012 në 68 000 tonë në ditët e sotme. Prodhimi i mineralit të kromit, nga 47 800 tonë në vitin 2012, arriti në 100 800 tonë në vitin 2020. Kontributi i kompanisë në shtet llogaritet në 46 milionë dollarë në formë taksash që prej 2013, ose mbi 5 milionë dollarë taksa të paguara çdo vit.
Grupi Yildirim përfaqëson kompani të nëntë sektorëve të ndryshëm, me qendër në Stamboll dhe me veprimtari në 53 vende të katër kontinenteve. Yildirim numëron 14 000 punonjës gjithsej dhe luan rol global në fushën e metalurgjisë dhe minierave, qymyrgurit dhe koksit, energjisë, plehrave bujqësorë dhe kimikateve, menaxhimit të porteve, transportit dhe logjistikës, ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, si edhe në fushën e investimeve financiare. Yildirim është kompania e dytë në Europë dhe e katërta në botë për prodhimin e kromit. Përvoja dhe potenciali i Yildirim në industrinë e kromit do t’i forcojë më tej pozitat e Albchrome në tregjet botërore dhe do ta ndihmojë të vazhdojë rrugën drejt progresit. Në të njëjtën kohë Grupi BALFIN, si grup investimesh, ka skuadrën e ekspertëve që mbikqyrin kalimet e aksioneve nga kompanitë e veta tek investitorët e tjerë, duke marrë masa që përherë të zbatohen rregullat përkatëse dhe praktikat më të mira.
Grupi BALFIN vazhdon të jetë aktiv në industrinë e minierave dhe shkrirjes së mineraleve në rajonin tonë, me kompaninë New Co Ferronikeli në Kosovë. Ajo është eksportuesja më e madhe në Kosovë dhe nga prodhueset më të mëdha të ferronikelit në Europë. Grupi BALFIN do të vazhdojë investimet që New Co Ferronikeli të rrisë prodhimin dhe të plotësojë standarde edhe më të larta.
Rreth Grupit Yildirim
Grupi Yildirim i ka fillesat në vitin 1963, kur Garip Yildirim themeloi në Samsun të Turqisë një kompani modeste për tregtimin e materialeve të ndërtimit, me emrin Garip Yildirim & Sons. Kompania e zgjeroi vazhdimisht fushën e veprimtarisë, me anë të shpirtit të sipërmarrjes dhe inovacionit, duke u shndërruar në një grup të diversifikuar kompanish dhe në një nga grupet industriale turke me rritjen më të shpejtë.
Që kur bëri blerjen e parë ndërkombëtare në Suedi në 2008, kompania është bërë forcë globale, me qendër në Stamboll dhe veprimtari në 51 vende të katër kontinenteve. Grupi Yildirim ka 14 000 të punësuar në botë. Sot Grupi Yildirim luan rol global në fushën e metalurgjisë dhe minierave, qymyrgurit dhe koksit, energjisë, plehrave bujqësorë dhe kimikateve, menaxhimit të porteve, transportit dhe logjistikës, ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, si edhe në fushën e investimeve financiare.
Rreth Grupit BALFIN
Grupi BALFIN (Balkan Finance Investment Group) është nga grupet investuese më të rëndësishme e të suksesshme në Ballkanin perëndimor, me të ardhura bruto prej 639 milionë euro në vitin 2020.
Grupi BALFIN u krijua në vitin 1993 në Vjenë, nga Samir Mane, dhe sot vepron në Shqipëri, Austri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Hollandë.
Aktivitetet e Grupit BALFIN përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të paluajtshme, tregtimin me pakicë, industrinë minerare, sektorin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj., me rreth 6 000 punonjës.
Grupi BALFIN është partner i besueshëm, me aktivitet tregtar në disa industri në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, sipas standardeve më të larta të biznesit dhe të etikës, me kapital financiar të konsiderueshëm, burime njerëzore të kualifikuara, si edhe me fokus të përhershëm tek inovacioni.
Grupi BALFIN nxit ndikimin pozitiv në komunitet nëpërmjet zhvillimit ekonomik, mundësive për punësim, inovacionit dhe angazhimit social.