Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit lidhën një marrëveshje për bashkëpunimi afatgjatë në kuadër të angazhimit në projekte kërkimore, hulumtime shkencore dhe hartimin e studimeve akademike në bashkëautorësi, me qëllim implementimin e tyre si pjesë përbërëse/referuese e dokumenteve zyrtare që harton AKPT.
Gjithashtu, palët bien dakord për krijimin e një bashkëpunimi afatgjatë në kuadër të shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave akademike dhe profesionale, veçanërisht me studentët e Arkitekturës së Peizazhit.
Projekti i parë në drejtimin e Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit do të jetë hartimi i një rregulloreje që synon përdorimin e bimësisë vendase, të përshtatur në projektet e resorteve turistike dhe rezidencave përgjatë vijës bregdetare.
Kjo rregullore do të përdoret nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në funksion të shqyrtimit të projekteve që miratohen. Ajo do të marrë në konsideratë bimësinë natyrore të zonës, llojet që përshtaten me kushtet klimatike dhe qëndrueshmërinë e projektit për të ulur ndikimin mjedisor që lidhet me mirëmbajtjen. Në të do të përfshihet edhe në respektimin e arkitekturës tradicionale, traditës së kopshtarisë urbane, etj.
Projekti do të zbatohet në kuadër të studiove që studentët e Masterit Profesional dhe Shkencor në Arkitekturë Peizazhi zhvillojnë gjatë vitit akademik duke u mundësuar edhe ekspedita në terren dhe krijimin e një përvoje lokale.
Burimi: UBT