Panelet fotovotlaike janë kthyer në një zgjidhje jo vetëm për konsumatorët familjarë dhe bizneset e ndryshme që po gjejnë shpëtim me këtë formë të prodhimit të energjisë, por edhe në një zgjidhje dhe kursim edhe për institucione të ndryshme publike.
Ujësjellësi i ri i Belshit është shembulli më i mirë i një projekti të integruar, i cili do të furnizohet me energji elektrike përmes paneleve fotovoltaike duke ulur në këtë mënyrë me 95% kostot e energjisë.
Sic dihet ujësjellësat kanë pasur problematika kryesisht përsa i përket furnizimit me energji dhe ky është rasti i parë ku vetë një njësi shtetërore administrative do të jetë autoprodhues.
Kjo vepër është parë nga afër nga Zv. Kryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila vlerësoi investimin e kryer me funksion të dyfishtë:
“Jo vetëm përmirësojmë cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, por ulim edhe kostot. Një shembull që do ta aplikojmë edhe në zona të tjera.”- theksoi Balluku teksa pa edhe panelet e instaluara nga kompania “Solares”.
Më herët Ministrja ka deklaruar se efiçenca e energjisë është primare dhe qeveria po mundohet ta shtrijë në të gjitha godinat shtetërore.
Fuqia e instaluar për impiantin fotovoltaik në shërbim të Ujësjellësit Belsh është 1MW.
Janë plot 2204 panele të instaluara nga Solares, i cili gëzon eskluzivitetin e produkteve të kompanisë së njohur BISOL Group.
Gjatë inspektimit të veprës në Ujësjellsin e ri të Belsh ishte i pranishëm edhe Administratori i kompanisë Solares Z. Armand Skuqi, i cili garantoi Ministren dhe përfaqësues të pushtetit vendor për cilësinë dhe garancinë e paneleve të certifikuara dhe Made in EU./ ProBizz.al