Arti është forma më e mirë për të bashkuar një komb. Më shumë se 400 punime të 100 artistëve nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova do të ekspozohen në ambientet e Expocity për pesë ditë nga data 23-27 shkurt.
Me sloganin “Me përulësi për artistët”, Expocity Albania, së bashku me Galerinë e Arteve, çelën panairin e arteve pamore “Tirana Art”.
Në dekadat e fundit ka pasur shumë përpjekje për të krijuar një event të tillë por pa sukses, por tashmë vendi ynë ka panairin e tij të përvitshëm në artet vizuale, pasi “Tirana Art” është panairi i parë i arteve pamore në Shqipëri.
Synimi i këtij panairi është të sjellë pranë publikut të gjithë përfaqësuesit e arteve vizuale që operojnë në vend, si dhe të konsolidojë traditën për vazhdimësinë e aktivitetit.
Ceremonia e hapjes nisi me një risi, me një ankand për tre vepra të artistëve të mëdhenj si Guri Madhi, Fatmir Haxhia dhe Arben Bajo. Ankandi do të mbahet në ditën e fundit të panairit ku do të shiten edhe piktura të tjera.
Gjatë fjalës së hapjes, drejtori i Galerisë së Tiranës, Abaz Hado, shprehet se ky panair është një natë historike dhe e merituar për artistët e vendit.
“Tirana, ku çdo gjë po përjetohet ndryshe dhe po perceptohet ndryshe, po krijon një ndikim të ndryshëm social në të gjitha aspektet, si dhe në art, dhe kjo sot është një ngjarje e madhe.”
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë fort për të përparuar këtë vend sepse vetëm përmes artit dhe këtyre artistëve mund të shihemi, mund të konkurrojmë me Europën. Me këto nisma ia dolëm, arritëm të mbledhim këtu disa nga artistët më të mirë të vendit dhe kjo falë Expocity”.
Aulona Hoxha, drejtoresha ekzekutive e Expocity, tha se kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm për kulturën dhe artin shqiptar, pasi artistët kanë mundësinë të shfaqin së bashku veprat e tyre për publikun e gjerë.
Ajo tha gjithashtu se do të vazhdojnë traditën e panairit të artit dhe shpreson që në edicionin e ardhshëm të ketë përfaqësues edhe nga Ballkani..
“Në këtë panair, ku kemi punime edhe nga Kosova dhe trevat e tjera shqipfolëse, shpresojmë që në edicionin e dytë të kemi përfaqësues nga rajoni, Ballkani, Europa dhe më gjerë,”- u shpreh znj. Hoxha
Genc Përmeti, një nga organizatorët e eventit, shprehet se në këtë panair do r’i jepet një hapësirë e konsiderueshme artistëve të retrogardës, me gjithë kulturën dhe traditën që ata përfaqësojnë, përkrah artistëve më alternativë që janë në procesin e sfidimit të konvencioneve artistike për krijimin e një dinamike të re artistike.
Të rinjve, si nga vendi ynë ashtu edhe nga Kosova, u është ofruar një hapësirë e veçantë për të ekspozuar punimet e tyre në bashkëpunim me Universitetin e Arteve.
Burimi: Revista Monitor