Në mbledhjen e sotme Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 3.00%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.00% dhe 4.00%.
Në fjalën e tij Guvernatori I Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se inflacioni do të vijojë rënien graduale gjatë këtij viti dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
“Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi më së shumti rënien e inflacionit të importuar, e diktuar si nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë ashtu edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijuan të jenë të larta, në pasqyrim të kërkesës relativisht të lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës. “- tha Seko.
Sipas BSH ekonomia shqiptare vijoi të rritet me ritme relativisht të shpejta gjatë vitit të shkuar.
“Edhe pse nën efektin e goditjes, prodhimi i brendshëm bruto shënoi një rritje vjetore prej 4.7% në tremujorin e katërt të vitit 2022 dhe prej 4.8% gjatë gjithë vitit. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në sektorët e ndërtimit, të industrisë dhe të shërbimeve, sektorë të cilët përfituan nga rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e të ardhurave nga turizmi. Në aspektin e kërkesës, rritja ekonomike ka vazhduar të ushqehet nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që rritja e importeve dhe konsolidimi fiskal vazhdojnë të kenë një ndikim frenues. Të dhënat indirekte sugjerojnë vijimin e këtyre trendeve edhe gjatë tremujorit të parë të vitit aktual.”- tha Guvernatori.
Në përgjigje të inflacionit të lartë tha Sejko, Banka e Shqipërisë ka reduktuar gradualisht intensitetin e stimulit monetar duke lëvizur drejt normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.Prej fillimit të vitit të shkuar, norma bazë e interesit është rritur nga niveli minimal 0.5% në nivelin 3.00% në muajin mars 2023.
“Rritja ekonomike e vendit pritet të vijojë të jetë në territor pozitiv. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet niveleve historike në afatin e mesëm e të gjatë. Ky parashikim faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues.”- thekson Guvernatori.
Burimi: Banka e Shqiperise