1. Si ju lindi ideja për të themeluar “Kikiliciouss” dhe prej sa vitesh operon si platformë online?
Kikiliciouss është themeluar në 2014, fillimisht vetëm si një platformë online për lexuesit e saj e më pas me shërbime e produkte.
Une kam filluar të shkruaj në Blog, platformën time të parë rreth vitit 2010 dhe aty kuptova që ky pasion fillimisht për modën e më pas gatimin ishte jo vetëm kohë e kaluar bukur për mua, por dhe një interes i përbashkët me shumë lexues virtual.
Në 2014 vendosa ta sjell në një tjetër nivel platformën, pas disa vitesh eksperiencë kisha në mendje krijimin e një brandi të mirëfilltë dhe kështu lindi dhe Kikiliciouss.
Plot 13 vite që unë shkruaj virtualisht për ushqimin, ndaj mendimet e mia dhe bisedoj me lexues nga e gjithë bota.
2. Pse zgjodhët këtë emër ?
Emri Kikiliciouss në fakt ka ardhur në mënyrë shumë organike. Ne Maj të 2013-ës unë bëra një tortë (një krijim i imi) për një nga mikeshat e mia dhe teksa dëshiroja ta publikoja tek blogu i aso kohe po vrisja mendjen me motrat për një emër të goditur. Kikiliciouss doli natyrshëm si bashkim i nofkës sime dhe fjalës e shijshme në anglisht. Dhe më pas, kur vendosa ta ndërtoj brandin tim mbi baza me profesionale ky emër thjesht “click” brenda meje.
3. Nuk është thjesht një food blog, por blog për stilin e jetesës. Ishte një strategji e juaja që të kishit akoma më shume sukses apo nuk kishit dëshirë të fokusoheshit vetëm tek ushqimi?
Ne fakt kur kthej kokën pas, rrugëtimi im ka ardhur shumë natyrshëm dhe nga ana tjetër unë kam ndarë jetën time me ata miq virtual që më kanë ndjekur ndër vite. Ne 2010 fillova të shkruaj për modën, pastaj ndava me audiencen time pasionin për gatimin. Aty kuptova dëshirën e njerëzve mbi këtë sektor. Teksa udhëtoja, njerëzit ishin kurioz. Isha në dilema të ndryshme, mbi blerje të ndryshme jo detyrimisht në fushën e gatimit, njerëzit ishin të gatshëm të jepnin mendimin e tyre dhe dëshironin një ndjekje nga pas mbi zgjedhjet e mia. Dhe kështu kuptova që njerëzit e duan Kristin jo vetëm per recetat apo embelsirat, por për jetesën e saj dhe ato që unë përcjell në jetën time.
4. Cili ishte çelësi që arritët të krijonit impakt tek klientët dhe Kikiliciouss realizoi shitjet e para?
Mbaj mend frikën dhe të gjithë analizën që i bëja vetes teksa klientja e parë më tha “Të lutem tortën e djalit dua të ma bësh ti.”
Unë në atë kohë operoja vetëm si blog gatimi, direkt i kthej përgjigje se recetën ajo e kishte të postuar me çdo detaj dhe se mund ta gatuante vete; por ajo sërish këmbënguli “E di, por dua të ma bësh ti.”
Si një njeri i së drejtës mendoja po unë nuk jam biznes, a do ia dal vallë, sa besim paska ky njeri që s’më njeh fare të më thotë me bindjen e plotë se e dëshiron nga duart e mia, e një mori idesh që vinin lumë në kokën time.
Si përfundim vendosa t’ia realizoj dhe mora një mesazh të gjatë falenderues. Kështu ajo i tha disa mikeshave, ato grupit të tyre dhe ja ku isha unë në gatimet e mia të para për njerëz që nuk i njihja, për klientët e mi të parë.
5. Kush janë njerëzit që të mbështetën në këtë iniciativë?
Lista është shumë e gjatë, ndihem e bekuar që përpos të gjithë mbylljeve të dyerve, përplasjes së ashpër me realitetin, për mua anon më shumë mbështetja dhe pozitiviteti.
I jam mirënjohëse fillimisht familjes sime, mamit, babit e motrave që kanë qenë dhe janë suportuesit e mi më të mëdhenj në çdo iniciativë timen. Pa to vërtet gjithë kjo s’do ishte e mundur. Teksa vitet kalojnë kuptoj akoma më tepër rëndësinë e fjalëve dhe suportit emocional që kanë njerëzit e tu më të rëndësishëm në jetën tënde.
Falenderoj këdo që përgjatë rrugës sime pa diçka te unë, diçka që ndoshta as unë nuk e shihja vetë tek vetja; dhe më dha një dorë, një fjalë të sinqertë, apo një përgjegjësi që më rriti më tepër.
Lexuesit dhe klientët e mi mbajnë vendin e tyre të veçantë, unë e them shpesh pa suportin dhe besimin e tyre gjithë kjo ëndërr e imja nuk do ishte bërë realitet. Janë një shtyllë e fortë motivimi, reflektimi që unë të eci para çdo ditë me synime të qarta.
6. Recetat janë eskluzivitet i “Kikiliciouss” apo janë të marra nga diku tjetër, por keni eksperimentuar me produkte të reja?
Në ditët e sotme, shpikja e rrotës është e “pamundur”. Ajo që gjithësecili nga ne bën është shpalosja e dijes reflektuar në kombimine, shijeve (personale ose racionale) dhe testeve të pafundme deri sa rezultati del sipas pritshmërisë së caktuar.
Këtë bëj dhe unë. Biskotat e tortat e botës janë shpikur, ama në ato Kikiliciouss do gjesh diçka që vetëm tek ne do ta shijosh. Se çfarë? Atë ma thoni ju!
7. Sa e ka realizuar misionin e vet “Kikiliciouss” për të ndihmuar këdo që është i interesuar në të ushqyerit shëndetshëm?
Unë jam rritur në një klimë familjare ku përkuzimi i “shëndetshëm” është balanca. Në fund dhe Kikiliciouss këtë përfaqëson, balancë për të shijuar jetën pa kufinj të fortë që të sjellin në boomerang.
Të ushqyerit e shëndetshëm nuk është vetëm nga goja. Fillon që nga mendja, çfare mendimesh i ushqen ti vetes? Nëse i ushqen mendime negative, që s’je e bukur, je e shëndoshë, je e pavlerë etj, kjo përfundon tek goja e reflektohet në total tek shëndeti fizik e mendor. Duhet të duam veten në 360 gradëshin tonë.
Këtë parantezë e bëra për të thëne që çdo gjë e moderuar, e shijuar në balancë është e shëndetshme. Shpesh më pyesin Kiki si ka mundësi që je tërë kohës rrethuar me ushqim, ëmbëlsira dhe ke këtë fizik. E thjeshtë: Balancë, shijoj jetën si më vjen duke ditur që çdo gjë në masën e duhur është e shëndetshme.
8. Në kompanitë, eventet me të cilat keni bashkëpunuar, me cilën dëshironi të keni një tjetër bashkëpunim?
Një reflektim pozitiv është fakti se thuajse me të gjithë kompanitë që kam bashkëpunuar, sot e kësaj dite jemi koleg e miq të mirë. Mbajmë kontakte. Kjo tregon se përpos marrëdhënies së biznesit, jemi njerëz fillimisht e kimia e ecuria në biznes është e shëndoshë atëherë ku këto marrëdhënie bazike janë të tilla.
Sido të jetë bashkëpunimet kanë ciklet dhe hapësirat e tyre, thënë kjo nuk kam asnjë pishman. Në kohën e duhur do ritakohemi sërish me ata që kemi patur bashkëpunime të frytshme e qv na lidhin sërish pika takimi.
9. Disa prej embëlsirave i emërtoni edhe me emra, zgjedhje e juaja që të jenë të personalizuara ?
Tortat Eranda dhe Julia ishin të parat që futa me emra specifikë. Janë emrat e motrave të mia. Teksa po eksperimentoja me një formulë torte më fistike (qe une e dashuroj aq shumë), kisha dalë në 2 formula përfundimtare. Fillimisht doja vetëm 1 dhe në testet që bëj unë me rrethin tim (përfshirëmotrat) nuk po ndahej mendja se cila do ishte ajo që do dilte në shitje. Eranda pëlqeu aq shumë tortën e saj tashmë sa tha “kjo duhet të jetë patjetër”; Julia po ashtu. Përfundimisht bashkë me strategen time vendosëm ti lançojmë të dyja versionet e tortave duke bërë lidhjen e emrit të motrave me përshtypjet e tyre mbi tortat specifike.
Kjo u pëlqye pafund dhe nga audienca duke bërë dhe lojëra të tipit “e dashura ime ka emrin Julia dhe dua nje Julia të lutem për t’ia bërë dhuratë”.
10. Kikiliciouss në të ardhmen, do zgjerohet edhe në fusha të tjera apo do qëndroni tek ëmbëlsirat, udhëtimet?
Jeta më ka mesuar, kurrë mos thuaj kurrë. Tek ëmbëlsirat pak po e sigurt që do të jemi gjithmonë. Fusha tëtjera?! Pse jo, t’ia lëmë të ardhmes të na e thotë ajo!