3.6 % është parashikuar rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2023 .
“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri të konsiderueshme kundrejt goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periudhës 2019-2022, duke nisur me tërmetin, pandeminë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ekonomia shënoi rimëkëmbje të fortë, me një rritje në masën 8.9% në vitin 2021 dhe 4.8% në vitin 2022. Faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë vlerësohet të jetë afërsia me Bashkimin Evropian, që lehtëson investimet, remitancat dhe eksportet,” shkruhet në raportin e BB.
Po sipas Bankës Botërore rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kreditimit, indikatorët e ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve, si edhe të ardhurat nga taksat sugjerojnë një rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë dhe të tretë, si pasojë e rritjes së konsumit, investimeve dhe eksporteve.
Punësimi u rrit me 4.4% në tremujorin e parë 2023. Nisur nga rritja e fortë e GDP-së për frymë në vitin 2023, varfëria projektohet të zbresë me 1.9%, duke arritur në 22.2%. Ndërsa borxhi publik pritet të zbresë në nivelin 63.1% e PPB-së në vitin 2023 dhe projektohet të zbresë edhe më shumë në afatmesëm, parashikohet në raportin e fundit Banka Botërore.