Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete kryeson delegacionin e përbashkët me Bankën e Shqipërisë në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Marrakesh.
Ministri është duke zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në këto takime Ministri Mete theksoi se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit dhe po përjeton rimëkëmbje të shpejtë.
“Papunësia ka arritur një nivel historikisht të ulët me pjesëmarrjen e fuqisë punëtore tani të krahasueshme me ekonomitë e përparuara. Borxhi publik është rikthyer gjithashtu në nivelin e para krizës. Stabiliteti makroekonomik është reflektuar edhe në përmirësimin e ekuilibrit të huaj dhe inflacionit që tashmë është sa gjysma e një viti më parë dhe më i ulët se shumë vende të tjera evropiane”, është shprehur Mete .
Sipas tij përparimet në procesin e integrimit në BE janë një shtytje e rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore. Këto reforma, përfshirë dhe reformat e menaxhimit të financave publike, kanë pasur progres edhe falë mbështetjes së dhënë nga FMN dhe BB .