Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, në funksion të procesit të rindërtimit, në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative nr. 11, Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në në vlerën prej 133 968 072.50 lekësh.
Pronarët kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikat, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Tiranë.
Bashkia Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë të pasurive, pronë private, të shpronësuara.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
Marrë nga ATSH