Nga dita e sotme janë hapur thirrjet për përfitimin e granteve dhe masave mbështetëse të start up-eve për vitin 2024.
Nga fondi prej 300 milionë lekësh mund të përfitojnë kompanitë startup si dhe individë për të ndërtuar dhe zhvilluar më tej sipërmarrjet e tyre.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se përmes fondeve do të mbështeten startup-et në tri faza të tyre.
Në fazën e parë mbështetja shkon deri në 1.5 milionë lekë dhe mund të aplikojë çdo individ që ka një ide.
Në fazën e dytë mbështeten subjekte që kanë 1 vit që operojnë në treg, pra që kanë krijuar një prototip dhe nëpërmjet fondeve ata mund të zhvillojnë prototipin, i cili duhet të jetë i tregtueshëm.
Faza e tretë përfshin ato subjekte që tashmë kanë një prototip të zhvilluar, që është i tregtueshëm, por ka ende nevojë për financim që të rritet apo ndërkombëtarizohet.
Kjo është thirrja e dytë që qeveria lançon për mbështetjen e startap-eve.