Mbi 51% e shqiptarëve nuk kanë bërë asnjë udhëtim, për të qëndruar të paktën një natë larg shtëpisë së tyre për qëllime personale pushimi, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat.
Për Shqipërinë informacioni është i disponueshëm për vitin 2021.
Shqipëria renditet e teta, në listën e vendeve, qytetarët e të cilës kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që nuk bën pushime.
Në Europë, 72% e bullgarëve nuk kanë bërë pushim në vitin 2022. Edhe rumunët janë pak a shumë në të njëjtat nivele, me 71.8%. Më pas renditen Italianët me 59.3%, grekët me 56%, portugezët me 54.5%, estonezët me 53.4%, kroatët me 51.8%.
Ata që udhëtojnë më shumë jashtë shtëpisë janë norvegjezët, ku vetëm 10.9% e popullsisë nuk lëviz për pushime, të ndjekur nga suedezët me 17.8%.
70% e atyre që nuk shkojnë për pushime në Shqipëri nuk kanë mundësi financiare
Ndërsa shqiptarët nuk renditen të parët në Europë për përqindjen e popullsisë që nuk shkon me pushime, ata mbajnë rekordin për pamundësinë financiare për të kaluar të paktën një natë jashtë shtëpisë.
Të pyetur për arsyet, gati 70% e shqiptarëve nga 15-64 vjeç pohojnë se nuk shkojnë për pushime për arsye financiare, më e larta në Europë. 3.2% cituan arsyet shëndetësore, 6.1% ato familjare, ndërsa 16.8% për shkak se ishin të angazhuar me punë apo me studimet.
Bullgarët që ishin të parët për përqindjen e popullsisë që nuk shkon me pushime, duket se nuk kanë kohë ta bëjnë këtë. 42.6% e tyre thanë se arsyeja lidhet me punën ose me studimet dhe 51.7% thanë se nuk kishin mundësi financiare.
Edhe rumunët cituan arsye të tilla si puna e shkolla (26.8%), apo çështjet familjare (12.1%), ndërsa 54.2% nuk lëviznin për arsye financiare.Më të ngrohte xhepin e kanë finlandezët, me vetëm 18.8% të tyre që thanë se nuk kanë mundësi financiare për të udhëtuar jashtë shtëpisë.Edhe për grupmoshat mbi 65% Shqipëria mban rekordin për pamundësinë financiare. 50% e të moshuarve thanë se nuk munden, ndërsa 38% cituan arsye të shëndetit. Në kontrast në shtetet e tjera, arsyeja kryesore që mbizotëron është ajo e shëndetit.
Grupmosha 25-35 vjeç në Shqipëri udhëton më shumë, të moshuarit rrinë në shtëpi
Dalja në pension është një periudhë që nga shumëkush në Europë shfrytëzohet për të udhëtuar jashtë shtëpisë, apo vizituar vendet që ke ëndërruar gjithnjë. Psh, të dhënat e Eurostta tregojnë se në Norvegji, vetëm 17% e personave që janë mbi 65 vjeç nuk kanë bërë pushime në vitin 2022.
Në kontrast, në Shqipëri gati 72% e personave mbi 65 vjeç nuk bëjnë pushime jashtë shtëpisë. Ndër më të lartat në Europë. Rekordin në Europë e mbajnë sërish bullgarët dhe rumunët me rreth 85-88%.
Në Shqipëri, grupmosha që udhëton më shumë është midis 25-34 vjeç, ku pesha e atyre që nuk kanë kaluar një natë jashtë shtëpisë është 37.8%, më e ulët nga të gjitha grupmoshat e tjera. Pas tyre renditet grupi nga 35-44 vjeç, me 43.3%.
Të rinjtë shqiptarë (15-24 vjeç) janë ndër ata që udhëtojnë më pak, me 50.6% që nuk kanë kaluar asnjë natë jashtë shtëpisë, përkundrejt psh, holandezëve dhe norvegjezëve që e kanë këtë peshë më të ulëtën në Europë me 11.2%.
Mundësi nuk kanë, por interesi është ndër më të lartët në Europë
Duket se shqiptarët duan shumë të udhëtojnë e pushojnë, por nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Ndërsa janë të parët në Europë që nuk kanë mjete financiare të kalojnë të paktën një natë jashtë shtëpisë, vetëm 3.7% e tyre thanë se nuk kanë interes që të bëjnë pushime, e dyta më e ulëta pas Danimarkës, me 1.1%.
Mungesën më të lartë të interesit për të pushuar e udhëtuar e kanë portugezët, me 64%, të ndjekur nga suedezët, me 58% dhe finlandezët me 29%.
Marrë nga Monitor