Shqipëria po bëhet gati të reformojë tëresisht mënyrën e përfaqësimit të biznesit. Në Konsultim Publik është prezantuar një nismë për krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare.
Nisma parashikon se të gjitha subjektet tregtare të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të jenë anëtare të Dhomës, me përjashtim të subjekteve që janë anëtarë në dhoma apo urdhra profesionalë të krijuar me ligj të veçantë.
Në relacionin e nismës evidentohet se rregullat për anëtarësimin në organin publik “Dhoma Ekonomike Kombëtare” nuk do të prekin organizimet ekzistuese apo të atyre që mund të krijohen në të ardhmen në formën e shoqatave, fondacioneve, organizatave jofitimprurëse etj.
Dhoma Ekonomike Kombëtare (DHEK) është konceptuar si person juridik publik i krijuar me ligj, jo shtetëror dhe ka autonomi organizative, funksionale dhe financiare. Në raport me pushtetin ekzekutiv, Dhoma nuk do të ketë raporte varësie apo hierarkie ndërsa të ardhurat e saj do të gjenerohen nëpërmjet tarifave vjetore të anëtarësisë, tarifave për shërbimet që ofron, kontributeve e donatorëve vendas dhe të huaj, donacioneve të anëtarëve të saj dhe burimeve të tjera, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin.
Në këtë mënyrë funksionaliteti dhe veprimtaria e Dhomës nuk do të varet nga buxheti shtetit.
Projektligji parashikon se organizimi dhe funksionimi i plotë i Dhomës Ekonomike Kombëtare do të kalojë në një periudhë kalimtare, e cila zgjat deri në 31 dhjetor 2025 dhe do të mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit. Fondi për vitin e parë do të jetë 40 milionë lekë ndërsa në vitin e dytë 100 milionë lekë.
Gjatë kësaj periudhe kalimtare, një Komision i Përkohshëm Teknik do të ngrihet për të siguruar organizimin e zgjedhjeve të para dhe mbështetjen për ngritjen e strukturës administrative. Relacioni jep më shumë detaje për bizneset që do të anëtarësohen në këtë dhomë.
Bizneset e vogla dhe ato biznese që regjistrohen për herë të parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të paguajnë si tarifë vjetore anëtarësimi prej 1 mijë lekësh. Ndërsa bizneset e tjera do të paguajnë një tarifë që do të vendoset nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare./Scan