Projekti për ndërhyrjen në disa rrugë në Tiranë për të krijuar korsi të posaçme për autobusët, si dhe rehabilitimin e disa stacioneve ka një kontratë të finalizuar.
Bashkia e Tiranës njoftoi në sistemin e prokurimeve se procedura që ka këtë objekt është fituar nga kompania “Liqeni VII”, me vlerë 95.2 milionë lekë me TVSH dhe punimet do të kryhen në harkun kohor të 9 muajve.
Referuar dokumenteve të bëra publike në fazën e parë të prokurimit parashikohen ndërhyrje në disa segmente.
Kështu projekt zbatimi i korsive të posacme për autobus përfshin rrugët : – Unaza e mesme ( nga kryqëzimi i “Brrylit” deri te ura “Vasil Shanto” në të dyja anët e lumit “Lana”).
– E “Kavajës” (segmenti nga sheshi “Mustafa Qemal Ataturku” – kryqëzimi me “Ibrahim Rugova” )
– “Muhamet Gjollesha” (segmenti nga ura “Vasil Shanto” – sheshi “Karl Topia”)” thuhet në dokument.
Të njëjtat dokumente parashikojnë edhe rehabilitim të stacioneve ku përfshihen 3 korridoret e linjave të transportit publik qytetës si dhe zonën përreth qendrës ku dhe përqendrimi i udhëtarëve dhe kërkesa për transit është më e madhe:
– Linja “Kinostudio Kombinat”
– Linja “Tirana e Re”
– Linja “Unaza,
“Rrugët janë kryesisht në gjendje të mirë. Ka dëmtime të riparueshme në pjesën e asfaltit në disa segmente ku aktualisht janë vend parkime për automjete. Sipas detyrës së projektimit rrjeti i kanalizimeve te ujërave dhe bardha dhe te zeza është funksional dhe ne gjendje te mire.
Në stacionet e urbaneve mungojnë tabelat informuese për qytetarët.
Në mungesë të një korsie të dedikuar autobusëve kemi vonesa në frekuencën e tyre , trafik, tejmbushje e tyre. Gjithashtu është i nevojshëm rehabilitim i kurorave të gjelbërta përgjatë segmenteve të projektit, vend grumbullim të mbetjeve urbane dhe elementit ndarës/mbrojtës të kësaj korsie të përshtatshme për evitimin e “kërcimit të gomave” nënvizonte dokumenti./Monitor