Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.
Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë Komisione të njëjta me transfertat brenda vendit. Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Zona e Vetme e Pagesave në Euro, SEPA, është një nismë e Bashkimit Evropian që do t’i mundësojë shqiptarëve të kryejnë pagesa elektronike në euro nga Shqipëria drejt një numri vendesh anëtare dhe jo-anëtare të BE-së apo nga këto të fundit drejt Shqipërisë, në një mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase, njëlloj si pagesat kombëtare.
SEPA përbëhet nga 41 vende evropiane, duke përfshirë disa shtete që nuk janë pjesë e Eurozonës dhe Bashkimit Evropian.












