Artisti i shquar i komunitetit shqiptar në Connecticut, Flori Lloga, ka dhuruar 2 mijë dollarë për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, në shenjë mirënjohjeje dhe mbështetjeje për misionin historik të këtij institucioni patriotik.
Gjatë vizitës së tij vëllazërore në selinë e “Vatrës”, kantautori Lloga, i shoqëruar nga z. Nazim Salihu, këshilltar për art dhe kulturë pranë “Noli TV”, u prit me ngrohtësi nga sekretari i Vatrës, Dr. Pashko Camaj, dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës, z. Harry Bajraktari, “Nderi i Kombit”.
Në këtë takim miqësor morën pjesë gjithashtu biznesmeni Kalosh Saiti dhe artisti Sali Buzhala, të cilët ndanë të njëjtin vlerësim për kontributin e artistëve dhe forcën bashkuese të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë bisedës, u theksua rëndësia historike e Federatës “Vatra” dhe e gazetës “Dielli”, si dhe nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë midis artistëve, biznesmenëve dhe intelektualëve shqiptarë në diasporë, për të forcuar rolin dhe zërin e shqiptarëve në Amerikë në dobi të atdheut, kombit dhe komunitetit.
Z. Harry Bajraktari vlerësoi “Vatrën” për mbështetjen e vazhdueshme ndaj artit dhe kulturës shqiptare, ndërsa kontributi i Florit u cilësua si një akt fisnikërie dhe dashurie për rrënjët shqiptare.
Prej vitesh, Flori Lloga është një nga emrat më të respektuar të muzikës shqiptare bashkëkohore. I njohur për stilin e tij origjinal, tekstet filozofike dhe aftësinë për të ndërthurur elemente të muzikës moderne me traditën shqiptare, ai ka krijuar një urë ndjeshmërie të rrallë mes artit dhe shpirtit njerëzor. Meloditë e tij mbartin emocione të thella, dashuri dhe reflektim, duke bërë që zëri i tij të mbetet një pasuri e kulturës sonë kombëtare.
Përtej skenës muzikore, Flori Lloga është një mbështetës i palodhur i komunitetit shqiptar në SHBA. Restoranti i tij, “Bella’gio”, është kthyer në një vatër mikpritjeje e fisnikërie, ku shqiptarët ndihen si në shtëpinë e tyre.
Me bujarinë dhe shpirtin e tij patriotik, Flori Lloga mishëron figurën e shqiptarit të suksesshëm, dinjitetshëm e zemërgjerë, për të cilin Federata “Vatra” shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë.
Një falenderim të veçantë shkon për të gjithë ata që me vepra e shpirt mbështesin “Vatrën” ,institucionin më të vjetër, më të fuqishëm e më të ndritur të shqiptarëve të Amerikës, që prej më shumë se një shekulli mban ndezur dritën e patriotizmit dhe identitetit kombëtar.














